Lajme

Antisemitizmi: Rritje dramatike në vitin 2021, thotë raporti izraelit


Getty Images

Numri i incidenteve antisemite në mbarë botën u rrit në mënyrë dramatike përgjatë vitit të kaluar. Kështu ka zbuluar një studim i Universitetit të Tel Avivit.

Raporti identifikon SHBA-të, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Australinë si ndër vendet ku pati një rritje të mprehtë.

Kjo u nxit nga lëvizjet politike radikale të krahut të majtë dhe të djathtë dhe nxitjet në mediat sociale.

Publikimi i raportit përkon me Ditën e Përkujtimit të Holokaustit të Izraelit, e cila fillon të mërkurën mbrëma.

E njohur në Izrael si “Yom HaShoah”, dita përkujton 6 milionë hebrenj të vrarë nga Gjermania naziste në të gjithë Evropën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Raporti i Antisemitizmit në mbarë botën 2021, nga Qendra për Studimin e Hebrenjve Bashkëkohor Evropian në Fakultetin e Shkencave Humane të Universitetit të Tel Avivit, bazohet në analizën e dhjetëra studimeve nga e gjithë bota, si dhe në informacione nga organet e zbatimit të ligjit, media dhe organizatat hebraike.

Në raport thuhej se në vitin 2021 ka pasur “një rritje të konsiderueshme të llojeve të ndryshme të incidenteve antisemitike në shumicën e vendeve me popullsi të madhe hebreje”.

U zbulua se në SHBA, e cila ka popullsinë më të madhe hebreje jashtë Izraelit, numri i krimeve të urrejtjes kundër hebrenjve të regjistruar në New York dhe Los Angeles ishte pothuajse dyfishi i një viti më parë.

Në Francë, numri i incidenteve të regjistruara antisemitike u rrit me pothuajse 75% krahasuar me vitin 2020.

Në Kanada, një grup udhëheqës hebre raportoi një rekord 40-vjeçar në dhunën fizike antisemite në një muaj – gusht.

Në Mbretërinë e Bashkuar, numri i sulmeve fizike të regjistruara kundër hebrenjve u rrit me 78% krahasuar me vitin 2020.

Gjermani, incidentet antisemite të regjistruara nga policia u rritën me 29% krahasuar me vitin 2020 dhe 49% krahasuar me vitin 2019.

Australia gjithashtu përjetoi një rritje të mprehtë të incidenteve të regjistruara antisemitike, me 88 vetëm në maj – totali më i lartë mujor ndonjëherë.

Autorët e raportit fajësojnë pjesërisht reagimet ndaj luftimeve të majit 2021 midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gaza-ës për rritjen e incidenteve antisemitike.

Atë muaj, Izraeli dhe militantët luftuan një konflikt 11-ditor në të cilin 261 njerëz u vranë në Gaza, sipas Kombeve të Bashkuara, dhe 14 njerëz u vranë në Izrael.

Raporti theksoi gjithashtu “arritjen e gjerë të rrjeteve sociale për përhapjen e gënjeshtrave dhe nxitjeve”.

Mediat sociale luajtën “një rol jashtëzakonisht alarmues” në incidentet antisemite, thotë ai.

“Të dhënat ngrenë shqetësime në lidhje me dobinë e legjislacionit dhe marrëveshjet e arritura me kompanitë e mediave sociale për ndalimin e shprehjeve antisemitike nga platformat e tyre”.

“Shqetësimi më i madh është rrjeti i errët, i cili strehon ekstremistët dhe ku përmbajtja antisemitike përhapet lirisht dhe hapur”, paralajmërohej në raport, duke iu referuar një pjese të internetit të aksesueshme vetëm përmes softëare-it special të shfletimit.

Gjithashtu raporti identifikon përhapjen e teorive konspirative që rrethojnë pandeminë COVID-19 si nxitje e krimeve të urrejtjes anti-hebreje.

“Pikërisht në fillim të pandemisë në vitin 2020, teoritë e konspiracionit filluan të mbijnë në të gjithë botën, duke fajësuar hebrenjtë dhe Izraelin për përhapjen e virusit”, thotë ai.

Bllokimet, të cilat i ngjitën njerëzit në ekranet e tyre në shtëpi, kontribuuan ndjeshëm në popullarizimin e diskursit toksik antisemitik në rrjetet sociale.

“Në vitin 2021, kur bllokimet u lehtësuan gradualisht, antisemitët u kthyen në rrugë”, përmbyllet raporti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore