Biznes

Ant Group përgatit debutimin në tregun e aksioneve të Kinës


Guvernatori i Bankës Qendrore të Kinës ka sinjalizuar Ant Group mbi mundësinë e debutimit në tregun e aksioneve. Ant Group, pjesë e kompanisë Alibaba, kishte vendosur të futej në bursë në nëntor.

Rregullatorët kinezë pezulluan futjen e kompanisë në bursë. Banka Popullore e Kinës më vonë ndërmorri një hetim për Alibaba-n duke lëkundur pozitat e kompanisë në tregje .

Guvernatori i bankës, Yi Gang, ka njoftuar që aksionet në bursë të Ant Group mund të rishikohen në rrethanat e duhura.

Ant Group kishte vendosur të shiste aksione me vlerë rreth 34.4 miliardë dollarë para se të ndalohej nga autoritetet. Aksionet e Ant Group-it në bursat e Shanghai-t dhe Hong Kong-ut do të kishin qenë debutimi më i madh në tregjet e aksioneve.

Autoritetet kineze, përmes hetimeve po synojnë ta kthejnë në një kompani më të vogël, më pak mbizotëruese në treg dhe më të bindur ndaj rregulloreve shtetërore.

Rregullat anti-monopol që po aplikohen, rrezikojnë të prishin ekuilibrin e krijuar në tregjet e blerjeve online (e-commerce).

Ant Group është ofruesi më i madh i pagesave digjitale të Kinës, me më shumë se 730 milionë përdorues në muaj në Alipay.

Jack Ma, themeluesi i Alibaba-s shprehu pakënaqësinë ndaj qeverisë kineze në një konferencë të teknologjisë financiare në tetor. Ai kritikoi shtetin kinez për mungesën e inovacionit.

Sipas Yi-s, kompanitë e teknologjisë financiare kanë zgjeruar sistemin financiar të Kinës. Këto kompani i kanë dhënë më shumë mundësi huamarrësve më të vegjël.

Zhvillimet pozitive janë shoqëruar me rreziqe për informacionin, mbrojtjen e konsumatorit dhe tendenca monopolistike.

Rivali i Ant Group, Tencent ndërkohë është rritur në bursën e Hong Kongut.

Kompania iu afrua vlerës së tregut prej një trilion dollarësh në fillim të kësaj jave. Kjo ka kthyer themeluesin e Tencent, Pony Ma, në njeriun e dytë më të pasur në Kinë./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore