Vende

Anijet e lashta greke të fundosura – dhe të grabitura – në Shqipëri


Anijet e lashta greke gjenden të shtrira në fund të detit në brigjet e Shqipërisë.

Një pjesë e madhe prej tyre kanë qenë të ngarkuara me antika të çmuara që mund të jenë grabitur.

Disa nga ato jo rrallëherë janë parë të dekorojnë restorante përgjatë bregdetit shqiptar.

Shumica e rrënojave janë anije të lashta greke, romake dhe ilire, shpesh të ngarkuara me thesare, sipas portalit “Greek Reporter”.

Ato anije të gjata e të ngushta bartnin vaj ulliri dhe verë përgjatë rrugëve tregtare midis Afrikës së Veriut dhe Perandorisë Romake, ku Shqipëria, asokohe Iliria, ishte ndërlidhëse.

Autoritetet shqiptare, deri më tani, kanë zbuluar 38 anije të fundosura të panjohura më parë në fund të detit Jon, duke përfshirë gjashtë varka që janë të paktën dy mijë vjet të vjetra.

Rrënojat përgjatë shtrirjes 220 milje të bregdetit datojnë nga shekulli i VI-të p.e.s. deri në Luftën e Dytë Botërore.

Disa rrënoja mbrohen brenda kufijve të Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, kurse të tjerat janë në vende të pashënjuara, pak larg plazheve të Shqipërisë.

Edhe pse vendi po përpiqet të mbrojë trashëgiminë e pasur nënujore të lënë pas dore prej shumë kohësh nga ish regjimi komunist, ruajtja ende merr fonde të pakta nga qeveria.

Pavarësisht kësaj, anijet e lashta greke në Shqipëri mund të jenë grabitur nga trafikantët e antikave

Pas rënies së regjimit komunist të Enver Hoxhës, shumë nga vendet e çmuara të fundosjeve, me anije që mbanin monedha ari dhe artefakte të çmuara, janë zhdukur plotësisht ose janë grabitur.

“Greek Reporter” shkruan se me to, trafikantët e paligjshëm të antikiteteve mund të bëjnë një pasuri në tregun botëror të artit dhe objekteve të lashta.

Brenda Shqipërisë, një amforë e lashtë e gjetur në det mund të arrijë 100 euro, por në tregjet botërore të artit dhe antikave, çmimi i saj mund të arrijë në qindra mijëra euro.

Në qershor 2018, anijet e fundosura antike në detet Jon dhe Egje morën emërtimin “Thesare të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare” dhe sipas rregulloreve të reja ndërkombëtare, studiuesit dhe zhytësit duhet të kenë leje të veçantë për t’iu afruar.

Autoritetet, arkeologët dhe historianët në Shqipëri kanë bërë pjesën e tyre për të dhënë alarmin për çështjen e grabitjes së objekteve kulturore nënujore.

Por paçka rritjes ekonomike të vendit dhe perspektivat e mira të anëtarësimit në BE, Shqipërisë i mungojnë fondet e nevojshme për të forcuar mbrojtjen e thesareve arkeologjike që ende qëndrojnë në fundin e detit në brigjet e saj.

Përpos këtyre, anijet moderne që janë fundosur kohët e fundit shiten në tregun e zi për metalet e tyre të rralla kurse ato më të rejat shiten për skrap.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore