Lajme

Profil/Angela Merkel, kur pushteti është grua


Angela Merkel ka lindur me 17 korrik 1954 në Hamburg të Gjermanisë Perëndimore dhe emri i saj i pagëzimit është Angela Dorothea Kasner, bijë e një pastori luteran që në mesin e viteve ‘50, me dëshirë, vendosi të transferohej në Gjermaninë komuniste për të themeluar një seminar luteran.

Fëmijërinë e saj e kaloi fillimisht në Quitzoë dhe më pas në Templin, në veri të Berlinit, pothuajse në kufi me Poloninë.

Lidhja e Angela me këtë të fundit nuk është ekskluzivisht gjeografike. Një biografi e kohëve të fundit e Stefan Kornelius, kryeredaktor i çështjeve të jashtme të “Süddeutsche Zeitung”, zbulon se gjyshi i Angela ishte me origjinë polake.

Ludëig Kazmierczak ishte me origjinë nga Posen dhe në 1930 vendosi që ta ndryshojë mbiemrin e tij në gjermanisht, nga ku edhe mbiemri Kasner.

Horst Kasner, babai i Angela, kishte raporte të mira me regjimin dhe kishte një leje speciale që i mundësontë të udhëtonte lirisht edhe në Perëndim.

Sipas një biografie të kohëve të fundit mbi të ashtuquajturën jetë të parë të Angela Merkel, Horst Kasner ishte pjesë e atyre teologëve protestantë nëpërmjet të cilëve regjimi synonte të pajtonte idealet socialiste me ato të Kishës.

Këta teologë protestantë shikonin tek socializmi një alternativë të mundshme ndaj kapitalizmit perëndimor, aq sa në 1958 themeluan në Pragë një lloj “internacionaleje kristiane”, Konferencën Kristiane për Paqen ku aderoi babai i Angela.

Por Horst Kasner ishte pjesë edhe vëllazërisë protestante të Weißensee në Berlin, ku kryepërgjegjësi i të cilës, Hanfried Müller (edhe ai i regjistruar në Konferencën Kristiane për Paqen) kishte kontakte të mira me drejtuesit e SED-it.

Me kalimin e kohës Horst Kasner u distancua nga regjimi, por nuk ka dyshim që familja e tij jetonte në një gjendje të privilegjuar brenda Gjermanisë komuniste dhe që i mundësoi Angela të shmangte çdo formë indoktrinimi ideologjik.

Sipas biografisë së Kancelares të shkruar nga Evelyn Roll, filozofia e jetës e familjes Kasner ishte e thjeshtë, por edhe shumë e përcaktuar: çifti Kasner, që vinte nga Perëndimi, konsiderohej si më të mirë se të tjerët, pasi kishin plus vlerat autentike të kristianizmit.

Angela do të orientohet gjithmonë pas këtij parimi dhe do të ketë detyrën e demonstrimit se është më e mirë nga të tjerët.

Gjatë jetës së saj në Gjermaninë Lindore arrin shkëlqyeshëm një diplomë në Fizikë dhe më pas Doktoraturën në të në Leipzig, që do t’i mundësojnë të udhëtojë për motive shkencore në vende të ndryshme të bllokut sovjetik.

Një fakt i habitshëm dhe që shumë e injorojnë është se në atë kohë, për të vazhduar doktoraturën, ishte e nevojshme të paraqisje një punim që të demonstronte se i kishe thelluar dhge zgjeruar dijet e tua për marksizëm – leninizmin.

Angela kishte paraqitur një punim me titull “Cila është mënyra e jetesës socialist?”. Nëse gjykimi për doktoraturën është magna cum laude, për thellimin politik merr vetëm një “mjaftueshëm”.

Natyrisht, kjo nuk e pengon që të zhvillojë aktivitetin e saj shkencor. Angela u bë një shkencëtare e vlerësuar, e përmendur dhe me autoritet.

Si pjesa më e madhe e qytetarëve të vendeve satelite të Bashkimit Sovjetik mëson shumë mirë edhe rusishten. Por Angela shkon përtej mesatares së qytetarëve të ish Gjermanisë komuniste: fiton olimpiadën e gjuhës ruse dillimisht në Templin, më pas në Neubrandenburg dhe, së fundi, edhe në Berlin.

Siç kujton Erika Benn, një mësuesja e saj e vjetër e rusishtes, për të përjavshmen “Cicero”, Angela ishte shumë e mirë, ishte konstante dhe vullnet të hekurt.

Nga Angela Kasner tek Angela Merkel

Në kohën e universitetit njihet me Ulrich Merkel, edhe ai student i Fizikës. U dashuruan dhe vetëm 23 vjeç (ajo) dhe 24 vjeç (ai), në 1977 u martuan me një ceremoni fetare.

Martesa do të rezultojë shumë më e komplikuar nga parashikimi, ndoshta e vendosur tepër shpejt.

Në atë kohë, të martuarit ishte edhe një strategjemë mjaft e përhapur për të përfituar lehtësira, si banesa dhe vende pune në të njëjtin qytet të bashkëshortit.

Pothuajse një vit pas martese, Angela merr diplomën, transferohet në Berlin, por në 1982 ndahet nga Ulrich Merkel, por të cilit do të vazhdojë t’i mbajë mbiemrin.

Pasi përfundoi doktoraturën, në Berlin, Merkel punoi si kimiste kuantike në Akademinë e Shkencave, në Gjermaninë Lindore.

Ish-kolegët e saj e kanë përshkruar atë si të turpshme, të zellshme dhe gjithmonë e prirur për të kërkuar të dhëna të sigurta.

Burri i saj i dytë dhe aktual është kimisti dhe profesori kuantik, Joachim Sauer, i cili ka mbetur kryesisht jashtë vëmendjes së mediave.

Ata u takuan për herë të parë në vitin 1981 dhe u bënë një çift më vonë gjersa u martuan privatisht më 30 dhjetor 1998.

Ajo nuk ka fëmijë, por Sauer ka dy djem të rritur nga një martesë e mëparshme.

Karriera

Kthesa në karrierën e Angela Merkel vjen me skandalin financiar në vetë partinë e saj, si pasojë e të cilit shumë prej figurave historike të CDU-së qenë të përfshira, para sëgjithash Helmut Kohl, i cili refuzoi të deklarojë një shumë prej 2 milion dojçmarkash.

Mund të duket paradoks, por edhe një herë akoma, Angela Merkel e shfrytëzoi në favorin e saj një moment krize të të tjerëve, në këtë rast të partisë dhe të mentorit politik të saj.

Në ngjitjen e saj të pandalshme drejt pushtetit, u distancua nga Helmut Kohl, e kritikoi ashpër dhe filloi një rilindje të partisë pa kryetarin e madh.

Në prillin e 2000, pothuajse 3 muaj pas goditjes vdekjeprurëse ndaj Helmut Kohl, das Mädchen u zgjodh Presidente e partisë për të zëvendësuar Ëolfgang Schäuble, edhe ai i përfshirë pjesërisht në skandal.

U bë kështu gruaja e parë presidente e CDU-së, partia më konservatore dhe më maskiliste e Gjermanisë dhe Wolfgang Schäuble është viktima e dytë e Angela Merkel.

Të dy, siç do ta shohim, do të kthehen e do të bashkëpunojnë më pas. Siç ka ndodhur shpesh në historinë politike e Angela Merkel, zgjedhja e saj befasoi shumë analistë politikë.

Për eksponentë të shumtë të CDU-së dhe vëzhgues duhej të ishte vetëm një lidere kalimtare, një presidente që duhej ta tragetonte CDU-në e vjetër në një epokë të re.

Dukshëm që askush nuk e njihte mirë dhe shumë i kishin bërë gabim llogaritjet.

Në 2002 u bë Kryetare e Grupit Parlamentar të federatës CDU – CSU, rol në të cilin u konfirmua edhe në 2003 me 93.7% të votave.

E mbuloi këtë rol deri në fund të legjislaturës në 2005, aq sa qe ajo që udhëhoqi opozitën konservatore ndaj qeverisë së qendrës së majtë.

Strategjia e saj ka funksionuar për mrekulli. Edhe një herë akoma arrin që të sjellë në avantazh të saj një humbje të partisë (atë në zgjedhjet federale të 2002) që i ka hapur rrugën për t’u bërë kandidate për kancelariatin e qendrës së djathtë në zgjedhjet e radhës.

Por rruga që do ta çojë në drejtimin e Gjermanisë është ende e gjatë.

Vitet nga 2003 në 2005 janë vendimtarë për profilin e saj antiSchröder, por edhe për ekuilibrin e pushtetit brenda CDU-së: Christian Wulff zgjidhet President i Saksonisë së Poshtme, Roland Koch konfirmohet President në Assia, Peter Müller konfirmohet President i Saarland dhe Jürgen Rüttgers arrin të marrë një bastion socialdemokrat, North – Rhin Westfalia.

Në fakt, të gjithë “gjigandët” kristian – demokratë degdisen në nivel rajonal: prej interesit, bindjes apo nevojës.

Angela është gjithnjë e më shumë liderja kombëtare e CDU-së. Rruga për të qenë kandidat kancelare bëhet gjithnjë e më e lirë dhe u bë e qartë se Angela nuk është as tragetuese, as lidere kalimtare.

Fati i Merkel dhe i CDU-së janë gjithnjë e më shumë të ndërlidhur midis tyre.

Dueli me Schröder

Gjatë fushatës elektorale, Merkel bëri disa gafa lidhur me temat ekonomike: propozoi rritjen e TVSH-së për të reduktuar deficitin gjerman dhe zgjodhi si konsulent ekonomiko – fiskal ish Gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese Paul Kirchhof, i cili propozoi një flat-tax e cila u kritikua fuqishëm dhe që e bëri të humbasë vota dhe besueshmëri të mëtejshm sfidantes të ardhur nga Lindja.

Në duelin televiziv me Schröder, në mesazhin final të saj, Merkel kopjoi edhe një diskutim të vjetër të Ronald Reagan.

Veç kësaj, Angela Merkel pësoi një sulm nga bashkëshortja e Gerhard Schröder. Si grua pa fëmijë, Doris Kopf e akuzoi se nuk i kuptonte problemet e grave që u duhet të pajtojnë punën me familjes.

Siç do të shikohet me rezultatet e dala, vota e shumë grave shkoi për Schröder, pavarësisht se feministja e njohur gjermane Alice Schëarzer kishte shprehur admirim për Angela Merkel.

Në atë fushatë elektorale të parë të saj në të cilën ishte në lojë posti më i rëndësishëm, Merkel nuk dha maksimumin e vetes. Në më pak se një muaj “dogji” pjesën më të madhe të avantazhit të saj.

Siç do ta zbulonte vetë Angela Merkel një vit më pas në ZDF, në atë fazë delikate politike i la gjërat thjesht të ecnin siç duhej të ecnin.

Në stilin e përkryer merkelian, vëzhgonte dhe priste.

Pas negociatash të gjata, polemikash dhe përplasjesh politike të forta, me 22 nëntor të 2005 Angela Merkel, fizikantja e ardhur nga Lindja, u bë femra e parë në drejtimin e Republikës Federale Gjermane, Kancelarja e koalicionit të dytë të madh të historisë së Gjermanisë, Kancelarja e parë nga ish Gjermania Lindore dhe, së fundi, me 51 vitet e saj në atë kohë, Kancelarja më e re në moshë e historisë së Gjermanisë: një moment historik.

Revista amerikane “Forbes” e ka paraqitur si “Gruaja më e fuqishme në botë”. Për sa i përket aspektit personal ajo ka deklaruar se nuk bën festa darke në shtëpinë e saj, por do t’i pëlqente të ftonte për darkë menaxherin e skuadrës kombëtare të futbollit spanjoll.

Gjërat që ajo i bën me siguri dhe ndihet mirë janë: ngjitja në mal, gatimi dhe e qeshura. Merkel i trembet vetëm një gjëje, të mbetet e pambrojtur në ndonjë stuhi. 

Ëndrra e saj politike është që Gjermania dhe Evropa të jenë të qëndrueshme, të suksesshme dhe partnere të mira për botën. Filmi i saj i preferuar është “Out of Africa” dhe si çdo gjerman tjetër, birra është ndër pijet e saj të preferuara.

“Një grua e hekurt”, e ka konsideruar ish Presidenti amerikan, Barack Obama. Në këto vite ka ditur ta lidhë një linjë politike jofleksibël me një vizion komplesiv të gjërave që pak e kanë pasur, duke mos shikuar vetëm nga Berlini, por nga e gjithë bota.

Në krizën ekonomike dhe financiare të Europës, Merkeli është kthyer në një figurë simbolike të shpëtimit të euros. Jo vetëm Gjermania, por edhe Europa duhet të dalë më e fortë nga kriza, ka thënë Merkel.

Por Merkel ka vënë vulën e saj edhe në transformimin e CDU-së. Fillimisht ajo kishte shumë konkurrentë në CDU. Ata ose u dorëzuan, ose u margjinalizuan, ose u rrëzuan për shkak të aferave të ndryshme.

Për Merkelin mungesa e besnikërisë dhe shfaqja e dobësisë politike janë kritere të qarta të nxjerrjes jashtë loje. Politika ka nevojë për pushtet. Këtë ajo e përdor për të ndryshuar shumë elementë programatikë, duke e çuar kështu CDU-në më afër qendrës së spektrit politik.

Temat si detyrimi ushtarak, energjia bërthamore dhe modeli i një familjeje klasike, ishin dikur bërthama e bindjeve kristiandemokrate. Merkeli e ndryshoi këtë, në vitin 2011 me daljen e Gjermanisë nga energjia bërthamore.

Merkel është tifoze e operës – çdo vit merr pjesë në premierën e Deutsche Oper – dhe e natyrës, Angela duket se është saktësisht e kundërta e paraardhësit të saj Gerhard Schröder, ndoshta shumë e prirur ndaj kënaqësive të jetës.

Si përfundim Angela Merkel është zëri femëror më i lartë dhe më me influencë në skenën politike të Europës dhe konsiderohet si njeriu më i fuqishëm në Europë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore