Lajme

Angela Merkel, hap dyert për çdo vaksinë


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka analizuar situatën e vaksinimit. Në një intervistë me televizionin publik gjerman ARD, ajo u bëri thirrje të gjithëve që “të presin dhe pak kohë”.

Kancelarja gjithashtu mbrojti mënyrën sesi qeveria e saj kishte shpërndarë vaksinat. Merkel, tha se Gjermania do të ketë vaksinuar 10 milionë njerëz deri në fund të marsit.

Vonesat e shumta nga Pfizer, AstraZeneca dhe Moderna kanë krijuar një ngërç në procesin e vaksinimit në të gjithë Evropën. Bashkimi Evropian (BE) ka dhënë sinjale se, do të ketë qasje të ndryshme ndaj Sputnik V.

“Vaksina ruse Sputnik V, mund të përdoret dhe nga BE-ja, nëse nëse ajo merr miratimin”, tha të martën, kancelarja.

Ajo vlerësoi të dhënat e raportit të fundit të publikuara, nga revista mjekësore ndërkombëtare, Lancent.

Aty, vaksina ruse Sputnik V, u cilësua si 91.6% efektive kundër Covid-19. Rezultatet e efektshmërisë së vaksinës u publikuan, pas përfundimit të fazës së tretë të vaksinimit.

Merkel shtoi se ajo ka biseduar kohët e fundit me presidentin rus, Vladimir Putin, për vaksinën.

Më parë, Rusia ishte kritikuar për nxjerrjen e vaksinës në treg përpara se të publikoheshin të dhënat e provës së fazës së tretë. Sputnik V u shpërfill tërësisht kur u shpall me krenari si vaksina e parë kundër Covid-19 në botë. BE-ja e cilësoi si një provë force nga ana e Kremlinit.

Kritika kryesore për vaksinën ruse ishte se ajo nuk i kishte realizuar testimet në shumë njerëz, duke e bërë rezultatin jo të besueshëm.

Procesi i vaksinimit në BE

Komisioni Evropian ka dhënë autorizimin e kushtëzuar për vaksinat e zhvilluara nga BioNTech dhe Pfizer më 21 dhjetor dhe Moderna më 6 janar. Kjo pas vlerësimit pozitiv të sigurisë, cilësisë dhe efikasitetit të tyre.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), pranoi aplikimin e AstraZeneca-s më 12 Janar. Vaksinat që kanë marrë autorizimet, monitorohen në mënyrë rigoroze nga EMA.

Vendet e BE-së filluan administrimin e dozave të para të vaksinave COVID-19 gjatë dhjetorit. Autoritetet shëndetësore u dhanë përparësi grupeve me rrezik të lartë, pasi vetëm një numër i kufizuar i dozave ishte në dispozicion.

Gjermania dhe BE-ja po përpiqen të rrisin ritmin e shpërndarjes së vaksinave. Polemika të shumta ka pasur në lidhje me shpejtësinë e shpërndarjes së vaksinave duke i krahasuar ato me ritmin e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Izraelin.

Më herët, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është shprehur se nuk do bëhet kompromis me kërkesat e sigurisë dhe efikasitetin një vaksine.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore