Lajme

Angela Merkel dënon qeverinë bjelloruse


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka dënuar sjelljen e qeverisë bjelloruse kundrejt protestave që  po zhvillohen në vend.

Ajo ka kërkuar lirimin e të burgosurve politikë dhe ka premtuar për ta, mbështetjen e qeverisë gjermane.

Autoritetet në Bjellorusi kanë goditur protestat që po zhvillohen që në gusht të 2020-ës.

“Gjermania dhe Bashkimi Evropian (BE), do të vazhdojnë të mbajnë një qëndrim për përgjegjësit e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Bjellorusi”, tha Merkel në komunikimin e saj të përjavshëm.

Në nëntor, BE-ja vendosi sanksione ndaj presidentit, Alexander Lukashenko, dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë.

Merkel shprehu mbështetje për protestuesit paqësorë në Bjellorusi, duke e përshkruar lëvizjen e tyre demokratike si “këmbëngulje të admirueshme kundër mashtrimit elektoral”.

Merkel gjithashtu njoftoi masat e mëtejshme që Gjermania do të merrte për të mbështetur popullin bjellorus.

Shteti gjerman do t’u ofrojë bursa studentëve në nevojë humanitare, duke përfshirë qasje më të lehtë të vizave dhe do të japë fonde e mbështetje për mediat e pavarura.

“Kjo nuk do ta zgjidhë konfliktin midis të drejtës  dhe shtypjes në Bjellorusi. Por, do tu tregojë njerëzve të guximshëm atje se ne jemi në anën e tyre dhe po i dëgjojmë, sot, ashtu si gjysmë viti më parë”, theksoi kancelarja.

Protestat në Bjellorusi

Protestuesit në Bjellorusi kanë marshuar vazhdimisht kundër, Lukashenko-s, që kur ai pretendoi një fitore të madhe në gusht dhe opozita e akuzoi atë për mashtrim elektoral.

Opozita atje refuzon të njohë fitoren e Lukashenkos, i cili drejton vendin që nga viti 1994.

Kandidatja për presidente, kundër Lukasheno-s në zgjedhjet e gushtit, Sviatlana Tsikhanouskaya, ka jetuar në Lituani që nga ajo kohë.  Ajo po vazhdon të mbështesë protestat në Bjellorusi.

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësime kundër abuzimit të të drejtave të njeriut në Bjellorusi, përfshirë torturat ndaj të burgosurve politikë dhe persekutimin e gazetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore