Zgjedhjet në Kosovë

Anëtarët e VV-së në KQZ akuzojnë institucionin e zgjedhjeve


Anëtarët e Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë akuzuar këtë institucion për shkeljeve gjatë procesit zgjedhor, ku veç tjerash thonë se mërgata do të duhej të niste votimin sot.

Në anën tjetër, KQZ-ja ka paralajmëruar takimin e radhës në 17:00 , ku do të diskutohet edhe për listat votuese.

“Vonesat për publikim e listave përfundimtare janë evidente. Ne sot ende nuk e kemi listën përfundimtare të votuesve jashtë vendit. Ata nuk mund ta dinë se kush është certifikuar e kush jo!”, ka thënë Sami Kurteshi, anëtar i LVV-së në KQZ.

Ai ka shtuar se votimi i diasporës do të duhej të fillonte në 00:01 të datës 2 shkurt.

“Verifikimi nuk ka përfunduar ende”, thotë Kurteshi, duke e cilësuar si “ndër shkeljet më të rënda” pasi që sot është 2 shkurt dhe duke filluar nga ora 00:01 duhej të ishte filluar me fletëvotim dhe votim nga jashtë vendit. Rrjedhimisht, duke mos respektuar këtë afat, KQZ-ja ka bërë shkelje, thotë Kurteshi.

Për më tepër, Kurteshi thotë se kjo nuk është shkelja e parë e as e fundit gjatë këtij procesi zgjedhor, të cilin, sipas tij, janë “duke e minuar haptazi dhe qartazi partitë e mëdha politike PDK dhe LDK bashkë me kryesuesen e KQZ-së dhe sekretariatin e KQZ-së”, pasi që këta të fundit nuk kanë mundur të ballafaqohen me numrin e madh te aplikuesve e as t’i planifikojnë mirë resurset teknike dhe njerëzore për kryerjen e punëve.

Kurteshi akuzon KQZ-në se ajo ka kaluar në një rrafsh tjetër – në rrafshin e kryerjes së veprave penale. “Njëra vepër penale, sipas kodit penal është neni 205 – cenimi i të drejtës së ushtrimit juridik”, potencon Kurteshi, duke thënë më tej se qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit u është cenuar e drejta për ushtrim të mjetit juridik sepse nuk u është lënë afat të kundërshtojnë listën e qytetarëve që kanë aplikuar për votim.

Ndërsa, në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të martën do të mbajë takimin e radhës. Në orën 17:00, KQZ-ja do të diskutojë për listat votuese brenda dhe jashtë vendit, fletëvotimet dhe broshurat e kandidatëve.

“Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit të Departamentit të Operacioneve Zgjedhore për vazhdimin e afatit të thirrjeve telefonike për aplikuesit që janë regjistruar suksesshëm për të votuar përmes postës”, është njëra ndër pikat e rendit të ditës.

Po ashtu do të bëhet certifikimi i listës përfundimtare të votuesve dhe shqyrtimi dhe miratimi i fletëvotimit dhe broshurës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore