Lajme

Analiza e gjakut për 50 lloje të kancerit mund të përshpejtojë diagnozën, sipas një studimi


Një test gjaku për më shumë se 50 forma të kancerit mund të ndihmojë në përshpejtimin e diagnozës dhe përshpejtimin e trajtimit të pacientëve.

Kështu sugjeron një studim i fundit i kryer nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (NHS).

Rezultatet e provës së biopsisë, të publikuara në konferencën më të madhe të kancerit në botë në SHBA, sugjerojnë se testi i gjakut Galleri ka potencialin për të dalluar dhe përjashtuar kancerin te njerëzit me simptoma.

Testi zbulon fragmente të vogla të ADN-së së tumorit në qarkullimin e gjakut. Ai paralajmëron mjekët nëse është zbuluar një sinjal kanceri dhe parashikon se ku mund të ketë origjinën në trup ai sinjal.

Ekspertët thanë se do të nevojiteshin më shumë kërkime përpara se testi, i bërë nga kompania kaliforniane Grail, të mund të shtrihej në sistemet e kujdesit shëndetësor.

Studimi i Symplify, i udhëhequr nga Universiteti i Oxford-it, përfshiu 5 mijë e 461 njerëz në Angli dhe Uells, të cilët u referuan në spital nga mjeku i tyre i përgjithshëm të dyshuar me kancer.

Ndërkaq, rezultatet po prezantohen në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike në Chicago.

Testi zbuloi saktë dy të tretat e kancereve në mesin e atyre në studim.

Në 85 për qind të atyre rasteve pozitive, testi ishte gjithashtu në gjendje të përcaktonte vendndodhjen origjinale të kancerit.

Sakaq, ai ishte më i saktë te pacientët e moshuar dhe ata me kancer më të avancuar, sipas rezultateve të provës.

Mark Middleton, një profesor i mjekësisë eksperimentale të kancerit në Oxford, i cili udhëhoqi provën, tha se testi kishte “potencial për identifikimin e njerëzve që do të vizitonin mjekun e tyre të përgjithshëm, të cilët aktualisht nuk janë referuar për të hetuar kancerin”.

Po ashtu ka të ngjarë që testi mund të përshpejtojë diagnozën “aty ku nuk është e sigurt se cila rrugë e shpejtë diagnostike është e duhura”.

Lawrence Young, një profesor i onkologjisë molekulare në Universitetin e Warwick, dalloi se “ky është një studim i rëndësishëm që tregon se po shkojmë drejt një epoke kur testimi i gjakut për kancerin, krahas testeve të tjera të pacientëve simptomatikë, mund të ndikojë vërtet në përmirësimin e dukshëm të rezultatit”.

NHS ka përdorur gjithashtu testin Galleri në mijëra njerëz pa simptoma, për të parë nëse ai mund të zbulojë kanceret e fshehura.

Ndërkohë, rezultatet priten në fund të këtij viti.

Nëse do të jetë i suksesshëm, planifikohet që testi të shtrihet për rreth 1 milion njerëz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore