Shqipëria

Amnistia për shqiptarët në Angli, sekretarja britanike e mirëpret me interes propozimin


Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuara, Suella Braverman, e ka dëgjuar me interes propozimin e homologut të saj shqiptar, Bledi Çuçi.

Kjo sa i takon amnistisë për shqiptarët “e ndershëm” që ndodhen në Britaninë e Madhe ilegalisht pa viza.

Kështu shkruan britanikja “The Telegraph”, e cila ka komunikuar me një burim pranë Braverman.

“Sekretarja e Brendshme ishte e lumtur që u takua me ministrin Çuçi për të diskutuar marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me Shqipërinë. Ajo shpjegoi se britanikët gjithmonë do t’i mirëpresin shqiptarët që udhëtojnë legalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe se kishte respekt të madh për vendin e tyre”, tha më tej burimi.

Ndërkohë propozimi i Çuçit erdhi gjatë takimin me Braverman si mënyrë për luftimin e emigrimit të paligjshëm.

Çuçi tha se ky problem nuk mund të adresohej nëse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk “përmirësonte” mënyrën se si e trajtoi migracionin legal.

Ai po kërkon një lehtësim të regjimit të vizave të punës në Mbretërinë e Bashkuar për të lejuar më shumë shqiptarë të hyjnë legalisht në Britani për të marrë punë, duke përfshirë punën sezonale, dhe një amnisti për ata që tashmë janë në MB.

“I kërkova të jepte një amnisti për të gjithë shqiptarët pa vizë por të ndershëm pa precedentë penalë. Shqiptarët janë një komunitet vital dhe i mirëintegruar në MB. Është e papranueshme të veçohet komuniteti shqiptar në Britaninë e Madhe dhe të stereotipizohen për shkak të disa ilegalëve”.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama në një intervistë për median shtetërore, BBC, sa i takon çështjes së emigrimit të jashtëligjshëm të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, i dënoi ashpër deklaratat e mëparshme të Braverman.

“Të turpshme”, i ka cilësuar ai ato, duke kujtuar se si të tilla fjali në politikë, janë diskriminuese për një popull.

“Fatkeqësisht, ne e kemi parë veten dhe komunitetin tonë duke u veçuar në këtë vend për qëllime politike. Ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike”, theksoi kryeqeveritari shqiptar.

Ndër të tjera, ai shtoi se vërejtjet e Braverman, kanë qenë një “goditje e ulët”, ndërsa vullneti politik për të kapërcyer përkeqësimin e marrëdhënieve, mbetet i lartë.

“Ne gjithmonë do të refuzojmë ta kemi këtë përzierje mes disa kriminelëve dhe shqiptarëve si të tillë, sepse dhënia e një vule etnike krimit në vetvete është krim”, shtoi më tej ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore