Film

Amber Heard nuk ‘fajëson’ jurinë për përkrahjen e Johnny Depp


Amber Heard

Amber Heard, të martën pati intervistën e saj të parë që nga gjyqi i famshëm për shpifje me ish-bashkëshortin e saj, Johnny Depp.

Ylli i “Aquaman” u intervistua nga Savannah Guthrie e “NBC News”.

Intervista e shumëpritur u filmua në qytetin e Nju Jorkut nën siguri dhe fshehtësi të rreptë, më 9 qershor dhe u transmetua të martën në shfaqjen “Today”.

Të dy Heard dhe Depp u gjetën përgjegjës për shpifje në paditë kundër njëri-tjetrit. Juria, megjithatë, vendosi që Heard i kishte shkaktuar më shumë dëme Depp-it.

Dhe ajo tha se e kuptonte këtë gjë.

“Unë nuk i fajësoj ata. Unë në fakt i kuptoj”, tha ajo. “Ai është një personazh i dashur dhe njerëzit mendojnë se e njohin. Ai është një aktor fantastik”.

Heard tha gjithashtu se asaj “nuk i intereson se çfarë mendon dikush për mua ose çfarë gjykimesh dëshironi të bëni për atë që ndodhi në privatësinë e shtëpisë sime, në martesën time, pas dyerve të mbyllura”.

“Unë nuk supozoj se një person mesatar duhet t’i dijë ato gjëra”, shtoi ajo.

“Unë nuk e marr personalisht”, tha ajo. “Por edhe dikush që është i sigurt se unë e meritoj gjithë këtë urrejtje dhe mendon se po gënjej, prapë nuk mund të më shikosh në sy dhe të më thuash që mendon se në mediat sociale ka pasur një përfaqësim i drejtë. Ju nuk mund të më thoni se mendoni se kjo ka qenë e drejtë”.

“Ekipi ligjor i Johnny Depp mbuloi mediat për ditë pas vendimit me deklarata dhe intervista të shumta në televizion, dhe vetë Depp bëri të njëjtën gjë në mediat sociale”, tha një zëdhënës i Heard në një deklaratë për “CNN”.

“Zonja Heard thjesht synonte t’i përgjigjej asaj që ata bënë në mënyrë agresive javën e kaluar; ajo e bëri këtë duke shprehur mendimet dhe ndjenjat e saj, shumë prej të cilave nuk iu lejua t’i bënte në qëndrimin e dëshmitarit”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore