Lajme

Amber Heard do t’i paguajë Johnny Depp 1 milion dollarë në zgjidhjen e padisë për shpifje


Aktorja amerikane Amber Heard do t’i paguajë Johnny Depp një milion dollarë në zgjidhjen e padisë së tyre për shpifje.

Të paktën kështu kanë thënë avokatët e Depp për “BBC”-në.

Ish-çifti u përball në gjykatë këtë pranverë në një betejë të profilit të lartë.

Në qershor, trupa gjykuese e Virginia-s mbajti anën e Depp, duke gjetur se Heard kishte shpifur në një artikull në të cilin ajo e quajti veten viktimë e abuzimit.

Sakaq, Heard, ka thënë se vendimi “nuk ishte një akt koncesioni”.

Ajo, në fillim të këtij muaji, paraqiti një apel për çështjen duke kërkuar që vendimi të anulohej ose të ndërmerrej një gjykim i ri tërësisht.

Depp e kishte paditur ish-gruan e tij për shpifje bazuar në një opinion të vitit 2018 të shkruar nga ajo dhe të botuar në “Washington Post”.

Aje, ajo e përshkroi veten si një “figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”, pa përmendur emrin e Depp. Më pas Heard ngriti një kundërpadi.

Gjyqi gjashtë-javor i transmetuar në televizion tërhoqi një shqyrtim të gjerë publik.

Ish-çifti, i cili u divorcua në vitin 2017, paraqiti histori krejtësisht të ndryshme të lidhjes së tyre pesëvjeçare, duke akuzuar të dy tjetrin për sjellje të pahijshme dhe dhunë.

Depp mohoi me forcë dëshminë e ish-gruas së tij, në të cilën ajo pretendonte se ai e kishte nënshtruar atë ndaj abuzimit emocional, fizik dhe seksual.

Dhe trupa gjykuese ka qëndruar kryesisht në anën e Depp, duke i akorduar atij 15 milionë dollarë si dëmshpërblim.

Vendimi habiti disa ekspertë ligjorë, veçanërisht pasi ai pasoi humbjen e Depp në një rast të ngjashëm në Britaninë e Madhe dy vjet më parë.

Kurse avokatët e Depp kanë deklaruar se ishin të lumtur të “mbyllnin zyrtarisht derën e këtij kapitulli të dhimbshëm për Depp”.

Ata kanë shtuar gjithashtu se aktori do ta dhurojë pagesën prej një milion dollarësh për një numër bamirësish.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore