Kosova

Ambasadori ukrainas në Beograd: Ukraina e mbështet Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën


Volodymyr Tolkaç

“Ukraina e mbështet Beogradin kur bëhet fjalë për integritetin territorial të Serbisë në lidhje me Kosovën”, ka deklaruar ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkaç, në një intervistë për median opozitare serbe “Nova”.

Përkundër mbështetjes së hapur dhe publike që Kosova vazhdimisht ia bënë Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë, në Serbi shfaqen vazhdimisht pankarta dhe murale në të cilët shkruhet “Kosova është Serbi dhe Krimea është Rusi”, por për ambasadorin Tolkaç të njëjtat janë të pakuptueshme.

Në një vjetorin e luftës në Ukrainë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte dërguar letër presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensksyy, ku ia kishte ripërsëritur mbështetjen që shteti që ai udhëheq ia jep Ukrainës, dhe ndër të tjera, kishte bërë një analogji në mes të historisë së Kosovës dhe Ukrainës.

Mirëpo, diplomati ukrainas nuk është në një linjë mendimi me kreun ekezekutivit kosovar. Ai vlerësoi se nuk është situata e njëjtë, sepse “çdo situatë është histori në vete”, pavarësisht se të dyja vendet si Kosova dhe Ukriana kishin luftuar forcat e jashtme, pra Serbinë dhe Rusinë – që si qëllim kishin plane imperialiste.

“Kur dikush thotë se është e njëjta situatë, mund të themi se nuk është, sepse çdo situatë është një histori më vete. Nga ana tjetër, jetojmë në një botë ku kemi pranuar parimet e jetës së përbashkët, të bashkëjetesës me popujt e tjerë. Këto janë kryesisht parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Ukraina i mbështet ato parime”, tha ai.

Ndërkaq, ai shtoi se për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë, “ne jemi për zgjidhje paqësore të kësaj çështjeje dhe do t’i respektojmë ato marrëveshje që do të nënshkruhen dhe marrëveshjet që tashmë janë nënshkruar”.

Gjithashtu, edhe analogjinë që Kurti ia kishte bërë agresionit rus në Ukrainë me atë që Serbia e kishte bërë në Kosovë në vitet ’90, Tolkaç përsëri refuzoi të pranojë ngjashmërinë e situatave duke iu referuar Traktatit të Budapestit.

Këto janë gjëra që janë të ndryshme dhe nuk mund të krahasohen. Para së gjithash, kjo është për shkak se Federata Ruse njohu kufijtë e Ukrainës. Ato njihen nga Traktati i Budapestit, një traktat midis Federatës Ruse dhe Ukrainës. Kjo është arsyeja pse nuk është normale ta krahasosh atë”, konsideroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore