Lajme

Ambasadori Kosnett konfirmon mbështetjen amerikane për sektorin e arsimit në Kosovë


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka thënë se “qeveria amerikane e mbështet zotimin e Qeverisë së Kosovës që në pozita të rëndësishme të vendosen persona të kualifikuar”.

Kështu ka thënë Kosnett gjatë takimit të tij me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Arbërie Nagavci.

“Në këtë takim, u shpreh vullnet për bashkëpunim që nga vlerësimi formativ e deri te ndërlidhja e arsimit me tregun e punës, duke përmendur këtu inkuadrimin e ish bursistëve të mbështetur nga Qeveria Amerikane”, thuhet në komunikatën për media nga MASH.

Ministrja Nagavci e ka njoftuar ambasadorin Kosnett për programin qeverisës, ku objekt strategjik i tij, janë të gjitha fushat e arsimit në Kosovë.

Ajo po ashtu, ka theksuar se deri në vjeshtën e këtij viti do të krijohet programi për përfshirjen e profesorëve nga mërgata prandaj e vlerësoi të rëndësishëm bashkëpunimin me Fakultetin e Edukimit për t’u siguruar që programet e tij synojnë programe cilësore.

Tutje në takim thuhet se është diskutuar edhe për funksionalizimin e Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), ku Nagavci siguroi se procedura do të jetë transparente”.

Sipas këtij njoftimi, ambasadori Kosnett “është shprehur i gatshëm për bashkëpunim të afërt në të ardhmen, në fushat që janë me rëndësi për zhvillimin e vendit”.

Përveç ministres Nagavci, në këtë takim të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci si dhe shefja e kabinetit të ministres Edita Buçinca, ku përveç ambasadorit pritën edhe zëvendësshefin e sektorit për marrëdhënie me publikun në ambasadë, Ray Nayler, si dhe Matthew Cullinane përfaqësues nga USAID-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore