Lajme

Ambasadori italian në Kosovë: Italia vazhdon me mbështetje për Kosovën, të shmangen veprimet e njëanshme në Veri


Antonello De Riu

Ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu, ka thënë këtë të enjte se është e nevojshme që të bëhet depërshkallzimi i situatës në Veri të Kosovës pas tensioneve të krijuara – ku protestuesit serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it – duke shtuar se shteti që ai përfaqëson “do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën”.

“NATO dhe ushtria jonë do të mbeten për të garantuar stabilitetin dhe për të parandaluar përkeqësimin e situatës, por është thelbësore që të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga të gjitha palët e përfshira që menjëherë të bëjnë një hap prapa dhe të kontribuojnë në zbutjen e tensioneve”, ka deklaruar De Riu në pritjen solemne me rastin e festës Kombëtare të Italisë.

Diplomati italian theksoi se shteti i tij do të jap kontributin e nevojshëm në mënyrë që të krijohet një situatë stabile, dhe kështu t‘i hapet rrugë dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Qeveria italiane do të vazhdojë të punojë për rivendosjen e qetësisë dhe kthimin në rrugën e dialogut dhe diplomacisë në koordinim të ngushtë me aleatët tanë, duke filluar nga BE-ja dhe QUINT-i”, pohoi ai.

Ndryshe, në protestën e 29 majit në komunat Veriore të Kosovës, kryesisht në Zveçan, protestuesit e dhunshëm serbë, të cilët kundërshtonin vendimin e Qeverisë së Kosovës që Policia t’i asistonte për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, mbetën të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it, 11 prej tyre ishin italianë.

Që nga 26 maji janë rritur tensionet në Veri të Kosovës. Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Përveç ndalimit të hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj, serbët lokalë po kërkojnë edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga kjo pjesë e vendit.

Ndërsa më 29 maj, në Zveçan, strukturat paralele serbe u përleshën me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, i cili ka shtuar prezencën në veri, pas tensionimit të situatës. Si pasojë 41 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të lënduar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat çuan në plagosjen e 30 paqeruajtësve. Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, u shpreh fillimisht ish-kryeministri norvegjez.

Stoltenberg garantoi se KFOR-i – forcat e NATO-s – do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të paanshme në përputhje me mandatin e OKB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore