Lajme

Ambasadori i Ukrainës në Serbi: S’kemi ndryshuar qëndrim për Kosovën


Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkac

“Qëndrimi i Kievit zyrtar për çështjen e pavarësisë së Kosovës nuk ka ndryshuar, por ne jemi mirënjohës për qëndrimin e Prishtinës në lidhje me luftën në Ukrainë dhe ofrimin e ndihmave”, tha ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkac, gjatë një interviste në RTK.

Tolkac, theksoi se Ukraina ka pasur gjithmonë vazhdimësi në politikën e jashtme dhe se ata kanë mbështetur çdo vend brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Siç thotë ai, Ukraina, së bashku me vendet e tjera evropiane, u përpoqën të ndalonin luftërat e përgjakshme në këtë rajon, përfshirë atë të vitit 1999.

“Prandaj, sot jemi mirënjohës për mbështetjen që Kosova i jep Ukrainës, por në të njëjtën kohë ritheksojmë qëndrimin tonë parimor se duhet respektuar integriteti territorial dhe sovraniteti”, theksoi Tolkac.

Duke folur për tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mundësinë e vazhdimit të dialogut, ambasadori ukrainas potencoi se më e rëndësishmja është të kërkohet një kompromis.

“Nga pozicioni i Ukrainës, ne ndoqëm rrugën e kompromisit, e mbrojtëm vendin tonë për 23 vjet, por siç e shihni, nuk arritëm ta shmangnim këtë luftë të përgjakshme. Dhe sa i përket kompromisit, nuk e di nëse mundet të arrihet, por nga ana tjetër kompromisi duhet kërkuar deri në momentin e fundit”.

Ai shtoi se është i bindur se vetëm vlerat evropiane dhe afrimi me BE-në e mbrojnë rajonin nga “ndikimi i rrezikshëm rus”, duke shtuar se Rusia dëshiron të shkatërrojë Ukrainën.

“Sot, kur mbrojmë territorin e Ukrainës, nuk po mbrojmë vetëm vendin tonë, por të gjithë Evropën dhe vlerat që ajo sjell. Për tetë vjet në Ukrainë është bërë një luftë pikërisht për vendin tonë, për sovranitetin dhe integritetin”, shtoi ai.

Duke iu referuar çështjes së sanksioneve që BE-ja dhe Perëndimi po i kërkojnë Serbisë t’i vendosë Rusisë, Tolkac beson se do të ishte mirë që Serbia të mbronte vlerat evropiane së bashku me Ukrainën.

“Ukraina dhe Serbia kanë një qëllim të përbashkët, që është integrimi në BE. Nuk mund të pres dhe të këmbëngulim që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, shton ai, {por ne do të ishim mirënjohës nëse qeveria e re e Serbisë do të ndiqte rrugën që zgjodhëm së bashku, BE-në.

Ai përkujtoi se Ukraina sapo është bërë kandidate për anëtarësim në BE dhe se Serbia ka një kohë shumë të gjatë, kështu që do të ishte mirë të “mbronim atë rrugë” me përpjekje dhe përpjekje të përbashkëta.

I pyetur se sa ka gjasa që destabilizimi në rajon të jetë pasojë e propagandës ruse, Tolkac thotë se rreziku është real.

“Sa i përket propagandës ruse, mund të themi se është propaganda e luftës dhe shkatërrimi i gjithçkaje nga e cila mbrojmë Evropën sot. Të gjitha rajonet që janë brenda rrezes së raketës ruse janë në rrezik. Sepse sa më shpejt njerëzit të fillojnë të promovojnë vlerat evropiane, aq më shpejt rajoni do të jetë në një zonë të sigurt”, tha diplomati ukrainas.

Ndryshe, Ukraina ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Por, deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, ka bërë të ditur se ka dorëzuar një draft-rezolutë në Parlamentin e Ukrainës, ku bëhet thirrje që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Deputeti ukrainas, pasi ka bërë publike draft-rezolutën në fjalë ka deklaruar se shpreson se Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më parë të jetë e mundur.

“Dorëzova në Parlamentin e Ukrainës një rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ukraina ndan vlerat perëndimore dhe do të përkrahë demokracinë kudo në botë. Shpresoj që Ukraina do ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më parë të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore