Lajme

Ambasadori i SHBA-ve në Beograd: Zbatimi besnik i marrëveshjes, tani të përqendrohemi në zgjidhje të qëndrueshme


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Anthony Godfrey

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Anthony Godfrey, është i lumtur me fillimin e zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë së arritur në Bruksel më 30 shtator për targat.

Ai ka thënë se është tani koha për t’u fokusuar në gjetjen e një zgjidhja afatgjatë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“I kënaqur që shoh zbatimin besnik të marrëveshjes së arritur në Bruksel. Liria e lëvizjes dhe tregtia është fondamenti i integrimit ekonomik dhe mirëqenies në rajon”, ka shkruar ai në Twitter.

“Tani ne duhet të fokusohemi tek një zgjidhje e qëndrueshme”.

Të shtunën e 2 tetorit pas zbatimit të pikës së parë të marrëveshjes, i ngarkuari me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas Giacobbe, i ka dhënë mbështetje marrëveshjes pasi që ajo është në të mirë të situatës.

Ai përmes një postimi në Twitter ka shkruar se trupat e KFOR-it do të qëndrojnë për dy javë në kufi, teksa u ka bërë thirrje shteteve që të vazhdojnë dialogun.

“Progres i mirë nga Kosova dhe Serbia pas implementimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja në kufi. Prezenca e përkohshme e KFOR-it, për dy javë ne presim që funksionimi i kufirit të kthehet në normalitet. Koha që të ecet përpara në këtë momentum dhe të rikthehet seriozisht dialogu”, u tha në reagim.

Ashtu siç ishte paraparë me pikën një të marrëveshjes së arritur në Bruksel, mes Kosovës e Serbisë, ashtu edhe ka ndodhur.

Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u kanë lëshuar vendin ushtarakëve të KFOR-it në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, duke u larguar kështu pas 12 ditësh qëndrim atje, në kërkim të zbatimit të reciprociteti të targave me Serbinë.

Marrëveshja parashihte që rrotullimi të bëhej me fillim në orën 08:00 dhe ende pa shënuar kjo kohë, veçmë janë parë ushtarët e parë të KFOR-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore