Lajme

Ambasadori i ri në Gjermani: Duhet të ndryshojmë narracionin për Kosovën


Ambasadori i ri i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti

Ambasadori i ri i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, ka thënë se Kosova ka nevojë për një angazhim më të fortë të Gjermanisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

Ai ka theksuar se duhet ndryshuar narracioni i krijuar që pa shtetin e Serbisë nuk mund të ketë zgjidhje në Ballkan.

“Unë do të përdor të gjithë forcën time argumentuese për të shpjeguar se një narracion i tillë deri tani nuk na ka ndihmuar të zgjidhim problemet. Pra, narracioni i krijuar gabimisht se Serbia është shteti kyç në Ballkan dhe se pa të nuk bëhet asgjë, është historikisht i gabuar, praktikisht i paqëndrueshëm dhe për të ardhmen i rrezikshëm”.

“Thënë ndryshe, Beogradi është burim i destruktivitetit si në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovine, Mal te Zi dhe më herët në Maqedoninë Veriore. Narracione të tilla që privilegjojnë Serbinë janë te destinuara të dështojnë dhe këtë besoj na e ka mësuar mjaft mire historia”.

“Unë do të kërkoj që të drejtohet vëmendja nga ata që luajnë rol konstruktiv: Nuk ka qenë Serbia, por faktori shqiptar, qoftë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, apo në Shqipëri e Mal të Zi. Për të ndryshuar këtë narracion duhet folur jo vetëm me ekzekutivin por edhe me ligjvënësit”.

“Ngjashëm është edhe çështja e vizave. Edhe pse qeveria gjermane tani e ka vendosur qysh në marrëveshjen e koalicionit se do të kërkojë me forcë liberalizimin e vizave, mendoj se duhen sensibilizuar më shumë edhe ligjvënësit gjermanë, që kanë lidhje me kolegët e tyre në Evropë që të lobojnë për liberalizimin e vizave. Ka ardhur koha që shtetasit e Kosovës të trajtohen, ashtu siç e meritojnë, si evropianë”, ka thënë Ajeti në një intervistë për DW.

Ambasadori i ri i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti

I pyetur se cila është strategjia e tij për të shfrytëzuar potencialet e diasporës shqiptare, Ajeti tha se “në radhë të parë është potenciali ekonomik”.

“Ne si ambasadë, së bashku me pesë konsullatat që kemi në të gjithë Gjermaninë, do të mbështesim çdo biznes që kërkon të investojë në Kosovë. Këtë mbështetje na e garanton edhe ligji për investime strategjike”.

“Por edhe këmbimet kulturore, sportive, shkencore, në fushën e arsimit janë me rëndësi. Ne do të trokasim në të gjitha dyert që do të na ndihmojnë për të ndërtuar një Kosovë të fortë ekonomikisht dhe me një demokraci të konsoliduar.

“Tani kemi një qeveri të re gjermane, e cila qysh në marrëveshjen e koalicionit është pozicionuar për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, për të mbështetur normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, dhe për ta shoqëruar Kosovën drejt integrimit në BE. Çfarë mund të pritet më shumë se kaq nga Gjermania?”, ka shtuar Ajeti.

“Është fat për mua që misionin tim ta filloj bashkë me qeverinë e re gjermane. Është hera e parë që qeveria gjermane flet me kaq hollësi për Ballkanin Perëndimor qysh në planin qeverisës”.

“Dhe ky fakt më jep shumë optimizëm se në takimet e mia mund të bisedojmë për projekte konkrete. Unë këtë e vura re edhe në takimin tim me presidentin Frank Walter Steinmeier, i cili është një njohës shumë i mirë i Kosovës dhe rajonit. Pra, marrëdhëniet janë të shkëlqyeshme, falë edhe një pune që është bërë nga paraardhësit e mi por edhe nga mërgata qysh në vitet 1990 me qeverinë në ekzil të Republikës së Kosovës, e në mos më parë”.

“Por ne kemi nevojë për një angazhim më të fortë të Gjermanisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Pra, kemi nevojë që fuqia politike e Gjermanisë të përkthehet edhe më shumë ne praktikë e të luajë rol prijës në kuadër të BE-së, pse jo ndoshta të kemi edhe një të dërguar gjerman. Gjermania ka një konstante aktive të angazhimit të suksesshëm të saj në Kosovë dhe Ballkan. Gjithashtu mendoj se duhet ndryshuar narracioni i krijuar gabimisht në perëndim dhe fatkeqësisht edhe në Gjermani se pa Serbinë nuk mund të ketë zgjidhje në Ballkan”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore