Lajme

Ambasadori i Kanadasë në Kosovë falënderon Osmanin për strehimin e afganëve


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar ambasadorin jorezident të Kanadasë në Kosovë, Alan Bowman, derisa ky i fundit ka falënderuar Kosovën për strehimin e afganëve.

Në njoftimin për media nga zyra e presidentes Osmani thuhet se ajo deklaroi se “qytetarët e Kosovës nga përvoja e tyre si refugjatë gjatë luftës së fundit, e çmojnë rëndësinë e strehimit të sigurt, dhe se institucionet e Kosovës do të jenë përkrah aleateve të saj të NATO-s në ballafaqimin e sfidave të tilla humanitare’.

Po ashtu bëhet e ditur se Osman ka theksuar se mbështetja e Kanadasë për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare është tregues i angazhimit më të madh të këtij shteti për sigurinë dhe paqen e rajonit.

Ndërkaq Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka njoftuar se të mërkurën e tetë dhjetorit janë larguar edhe mbi 200 afganë nga Kosova që janë nisur për në Kanada.

“Sot iu uruam lamtumirën 265 miqve tanë afganë, të cilët herët në mëngjes u larguan nga Prishtina për në Kanada. Patëm kënaqësi që t’i mirëpritnim këtu dhe t’iu tregonim mikpritjen e vendit tonë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Amerikës në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, të hënën e gjashtë dhjetorit kishte vizituar qytetarët afganë, që po qëndrojnë në kampin amerikan Bondsteel.

Sipas këtij njoftimi, “Kurti tha se është nder për neve që kishim mundësi t’i mirëpresim dhe t’u ndihmojmë qytetarëve afganë, të cilët tani janë mysafirët tanë”.

Afganët që po qëndrojnë në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikane si dhe forcat e tjera aleate të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore