Lajme

Ambasadori i BE-së në Beograd: Dialogu me Kosovën çështja kryesore për anëtarësimin e Serbisë në BE


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Beograd, Sem Fabrizi, në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është elementi thelbësor për anëtarësimin e shtetit serb në BE.

“Raundi i fundit i dialogut mund të ketë qenë më i vështiri nga të gjitha ato të vështirat. Të dyja palët duhet t’i përkushtohen dialogut. Dialogu është një element kryesor për stabilitetin rajonal dhe pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ka interes të madh që ai të ketë sukses, dhe BE-ja është duke bërë të pamundurën që kjo të realizohet”, tha Fabrizi.

Ndër të tjera, Fabrizi tha se procesi i anëtarësimit në BE e bën më të lehtë mundësinë që Brukseli të angazhohet në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që gjithçka të jetë në përputhje me standardet evropiane.

Takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Kurti pas takimit tha se i kishte propozuar Vuçiç-it një marrëveshje të paqes, por u refuzua pa u lexuar.  Ndërkaq Vuçiç theksoi se dakordimi mes dy palëve ka qenë i pamundur të hënën.

Ndërkaq i angazhuari i Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se palët janë dakorduar për vazhdimin e raundit të ri të dialogut në shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore