Lajme

Ambasadori gjerman kërkon nga deputetët e Kosovës që të shmangin zgjedhjet në pandemi


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka mirëpritur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi që këta të fundit kanë deklaruar se do të qëndrojnë në sallë gjatë votimit të Vjosa Osmanit për presidente të Kosovës.

Ai përmes një postimi në Twitter, ka përshëndetur vendimin e LDK-së, dhe ka kërkuar që të gjithë deputetët e zgjedhur të vënë nevojat e qytetarëve para interesave politike, pasi që siç thotë ai, është e paimagjinueshme shkuarja në zgjedhje në këtë valë të re të koronavirusit.

Çështja e zgjedhjes së presidentit në Kosovë po vazhdon të jetë tema kryesore e politikës në vend.

Pas kandidimit të Vjosa Osmanit nga Lëvizja Vetëvendosje, për të parën e vendit, LDK-ja vendosi që të shkojë në seancën për votimin e ish-nënkryetares së saj, Vjosa Osmani, për presidente.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj paritë, ka thënë që do të marrin pjesë në zgjedhjen e presidentit, por pa paragjykuar votimin individual të deputetëve.

Por lidhur me çwshtjen e zgjedhjes sw presidentit, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ende mbajnë qëndrimin e njëjtë në raport me çështjen e presidentit dhe se nuk do ta votojnë Vjosa Osmanin për këtë pozitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore