Lajme

Ambasadat e Ukrainës dhe të SHBA-së dënojnë pjesëmarrjen e Vulin-it në konferencën në Moskë


Aleksander Vulin

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ajo e Ukrainës në Beograd kanë kritikuar pjesëmarrjen e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandër Vulin, në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë.

Ambasada e Ukrainës në Serbi ka potencuar se “Ukraina dhe Serbia po bëjnë përpjekje për tu antëarsuar në Bashkimin Evropian”, duke shtuar se Beogradi zyrtar “duhet t’i vendosë sanksione Rusisë” pas agresionit të saj në Ukrainë, duke u rreshtuar kështu në linjë me politikat e Bashkimit Evropian.

“Ne llogarisim në faktin se vendi kandidat për anëtarësim në BE do t’i bashkohet politikës së përbashkët evropiane ndaj shtetit agresor, Federatës Ruse”, ka thënë Ambasada e Ukrainës në një përgjigjeje për Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

Nga ana tjetër, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka theksuar se “askush nuk duhet t’i japë legjitimitet veprimit rus duke bashkëpunuar me Kremlinin sikur gjithçka është në rregull”.

“Agresioni i Rusisë kundër fqinjit të saj paqësor, Ukrainës, është i paligjshëm dhe i paarsyeshëm. Vladimir Putin filloi këtë luftë brutale. Ai mund dhe duhet ta përfundojë atë menjëherë dhe të ndalojë vdekjen dhe shkatërrimin që po shkakton lufta e tij” , ka deklaruar Hill në një përgjigjeje për REL-in.

Christohpher Hill

Ndryshe, Bashkimi Evropian dhe fuqitë perëndimore të NATO-s e kanë të qartë se vendi i Serbisë duhet të jetë për nga ana e kontinentit të vjetër, por Serbia sytë qartësisht i ka për nga Moska.

E vërtetueshme kjo edhe nga konferenca e fundit e sigurisë, e organizuar nga Rusia, duke mbledhur ata pak aleatë që i kanë mbetur në botë dhe mes tyre, janë edhe shefi i shërbimeve inteligjente serbe, Aleksandar Vulin dhe ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiç.

Mes fytyrash të tjera, në një foto familjare të shkrepur, është edhe kreu i Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, Milorad Dodik.

Rreshtimi i Serbisë me Moskën, Vulin dhe Daçiç marrin pjesë në konferencën ruse të sigurisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore