Lajme

Ambasada e Rusisë në Beograd ankohet, i reagon Hill-it: “Serbia ishte viktimë e agresionit amerikan dhe NATO-s”


Ambasada e Rusisë në Beograd

“Askush nuk nënshkruan asgjë (me Rusinë). Është e vështirë për ne ta kuptojmë, por presim një shpjegim”, deklaroi ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill të hënën e 26 shtatorit.

Kjo deklaratë e Hill-it, ka nxitur reagimin e ambasadës së Rusisë në Beograd, ku përmes një njoftimi ka vlerësuar se “është e trishtueshme të shohësh se sa e ulët mund të bjerë diplomacia amerikane”.

Aty thuhet se në vitin 1999, viktima kishte qenë Serbia kurse agresori  ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës sëbashku me Aleancën Veri-Atlantike (NATO).

“Nuk kemi dyshim se shumë në Serbi, e cila u bë viktimë e agresionit amerikan dhe të NATO-s në vitin 1999, kategorikisht nuk e pranojnë këtë qasje”, thuhet në njoftim, transmeton mediumi serb ‘Danas’.

Sipas ambasadës ruse, ShBA-të po mundohen t’i imponojnë Serbisë qëndrimin “rusofob” duke zëvendësuar të drejtën ndërkombëtare me një “rend të bazuar në rregulla të favorshme vetëm për ShBA-të”.

Zbulohet përmbajtja e dokumentit që nënshkruan Serbia me Rusinë

“Kësaj radhe ai e kapërceu veten realisht, duke kërkuar egërsisht shpjegime nga autoritetet e vendit pritës në lidhje me nënshkrimin e planit të konsultimit ndërmjet ministrive të punëve të jashtme të Serbisë dhe Rusisë për vitet 2023 dhe 2024”.

Në fund, potencohet se Moska do të vazhdojë përpjekjet e saj për “forcimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit strategjik dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët, duke përfshirë dialogun midis ministrive të punëve të jashtme për një gamë të gjerë çështjesh aktuale”.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë, Nikola Selakoviç dhe Sergej Lavrov, nënshkruan më 23 shtator në New York “Planin e Konsultimit të Ministrive të Punëve të Jashtme” të dy vendeve për dy vitet e ardhshme.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore