Lajme

Ambasada Amerikane: Trupat e KFOR-it të SHBA-ve janë të angazhuara për ta ruajtur paqen në Veri


Flamuri i Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ambasada Amerikane në Prishtinë në Ditën e Përkujtimit, ka kujtuar personat që kanë humbur jetën në shërbimin ushtarak.

Mirëpo këtë ditë Ambasada Amerikane e ka lidhur edhe me ruajtjen e paqes në Veri të Kosovës.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, Ambasada ka thënë janë duke u angazhuar për stabilizimin e situatës në këtë pjesë.

“Sot amerikanët përkujtojnë Ditën e Përkujtimit, duke nderuar dhe vajtuar burrat dhe gratë që kanë humbur jetën në shërbimin ushtarak në Shtetet e Bashkuara, edhe pse trupat e KFOR-it të SHBA-së janë përsëri të angazhuara në përpjekjet e NATO-s për të ruajtur paqen në veri të Kosovës”.

Të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it gjendet para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar kryesisht me serbë etnikë.

Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – është duke u përpjekur për të negociuar me KFOR-in dhe po kërkon që kryetarët e rinj të mos hyjnë në objektet komunale. Gjithashtu, kërkesë e saj është edhe që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet elitare policare nga veriu.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore