Lajme

Ambasada amerikane: Serbia, përgjegjëse për vrasjen e vëllezërve Bytyqi


SHBA- varrezat e tre vëllezërve Bytyqi

Ambasada amerikane në Serbi, ka reaguar lidhur me mos veprimin e autoriteteve në Beograd, për kapjen e vrasësve të vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi.

Vëllezërit nga Kosova që jetonin dhe vepronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët gjithashtu kishin shtetësi amerikane, ishin vrarë 22 vite më parë nga njësitë speciale të policisë serbe në territorin e Serbisë.

Trupat e tyre janë gjetur më vonë në një bazë në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë, e cila është kontrolluar nga Goran Radosavljeviç – Guri. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.

Ambasada Amerikane kërkon përgjegjësi dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

“Vëllezërit Bytyqi janë ekzekutuar, janë qëlluar në kokë me duar të lidhura mbrapa shpinës, dhe edhe pas dy dekadave nuk ka hetim të plotë. Ne nuk mundemi dhe nuk do ta harrojmë këtë krim. Sjellja e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi dhe familjet e tyre, si dhe mbajtja përgjegjës e atyre që kanë kryer dhe fshehur vrasjet e tyre, vazhdon të jetë prioritet” për SHBA-të, është thënë në reagimin e Ambasadës.

SHBA u ka bërë thirrje autoriteteve serbe të veprojnë sa më parë për zbardhjen e rastit.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje autoriteteve serbe, që prej vitesh kanë premtuar ndihmë në këtë rast, të kryejnë një hetim të plotë. Ky rast sikur shumë tjerë, tregon nevojën urgjente që Serbia të kryejë hetimet e papërfunduara të krimeve të luftës, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit”, thuhet në kumtesën e ambasadës amerikane në Beograd.

Vëllezërit Bytyqi, shtetas amerikanë, ishin bashkuar ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në kuadër të Batalionit “Atlantiku”.

Pas bombardimeve të NATO-s dhe përfundimit të luftës në vitin 1999, ata u arrestuan në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Pasi qëndruan në burg për 15 ditë, ata u liruan, por policia serbe i dërgoi ata në bazën e Njësive speciale kundër terrorit të Ministrisë së Brendshme serbe në Petrovo Sello, që ishte nën komandën e Goran Radosavleviçit.

Në vitin 2019, anëtari i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të SHBA-ve, Eliot Engel, kongresmeni amerikan, Lee Zledin dhe senatori Roger Wrick kishin mbajtur një takim në Mynih të Gjermanisë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi. Përfaqësuesit e ShBA-së në konferencën e Sigurisë, kishin kërkuar nga Vuçiçi që të mbajë përgjegjësi për ekzekutimin e vëllezërve shqiptar.

Më 7 korrik, Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi ka thënë se është duke mbledhur prova të reja me qëllim që të “përcaktohet identiteti” i autorëve të vrasjes së vëllezërve Bytyqi më 1999.

Autoritetet serbe në Beograd pavarësisht kërkesës së pareshtur të SHBA-ve për zbardhjen e fatit të tyre, asnjëherë nuk kanë ofruar dëshmi, përveç premtimeve se do të bashkëpunojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore