Lajme

Ambasada amerikane përgëzon Kosovën për zgjerimin e sanksioneve ndaj Rusisë


Ambasada amerikane në Prishtinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), kanë përgëzuar Kosovën për zgjerimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Kështu ka bërë të ditur Ambasada amerikane në Prishtinë përmes një cicërime në rrjetin social në ‘Twitter’, përmes të cilit ka falënderuar Kosovën për strehimin e refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Kosovën për solidaritetin e saj me Ukrainën—duke miratuar sanksione, duke ofruar mbështetje humanitare për refugjatët dhe gazetarët dhe duke dënuar veprimet e pajustifikuara, të paprovokuara dhe vdekjeprurëse të Rusisë”, kanë shkruar nga kjo ambasadë.

Më 16 maj, e rreshtuar ndër vendet e para e cila vuri sanksione ndaj Federatës Ruse, Kosova ka shtuar masat sanksionuese ndaj këtij shteti dhe Bjellorusisë për shkak të invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të vë ndalesa të reja financiare dhe ekonomike për këto dy shtete.

Njëri nga sanksionet e ndërmarra është është ngrirja e aseteve ndaj disa individëve dhe korporatave ruse.

Këto masa u tha se janë ndërmarrë në përputhje me pakon e sanksioneve të ndërmarra nga BE dhe SHBA, tha zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili po udhëheqë këtë  mbledhje të qeverisë, pasi që kryeministri Kurti gjendet në vizitë zyrtare në SHBA.

Propozimin për ndalesat dhe sanksionet e qeverisë e bëri zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti.

“Këto sanksione synojnë të rrisin presionin mbi qeverinë dhe ekonominë ruse”, tha Ahmeti, duke kërkuar nga kabineti qeveritar që të votoj këto sanksione të shtuara nga pako e mëparshme e miratuar më 25 shkurt të këtij viti.

Përveç ngrirjes së aseteve, zëvendëskryeministri Bislimi listoi edhe sanksionet tjera të cilat ka ndërmarrë qeveria.

“Ndalim të qasjes dhe operimit në tregun financiar të Kosovës të individëve apo entiteteve sanksionuara. Ndalim udhëtimi në territorin e Kosovës, për individët e sanksionuar. Ndalim për individ dhe entitetin në republikën e Kosovës që të vë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte, për individët dhe entitetet e sanksionuara”.

Qeveria ka marrë vendim që të ndaloj edhe transportin e mallrave nga çdo ndërmarrje e e transportit rus dhe bjellorus, në të gjitha rrugët e Kosovës, përfshirë dhe transitin.

Sanksione ndaj Rusisë ishin vendosur edhe me 25 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore