Pajisje

Amazon-i shkurton lejen e paguar të COVID-it për punonjësit amerikanë


Kompania teknologjike Amazon i ka njoftuar punonjësit e vet se duhet të izolohen vetëm për një javë pas testit pozitiv të COVID-it, në vend të 10 ditëve.

Këto janë ndryshe ditët e paguara të lejes në rastin e të infektuarve.

Njoftimi i kompanisë ka ardhur pas udhëzimeve të përditësuara shëndetësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se varianti i ri Omicron i coronavirus-it ka shkaktuar një rritje të rasteve në vend dhe mungesa të punonjësve në shkolla, linja ajrore dhe biznese.

Qendra e SHBA-ve për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka mbështetur të martën udhëzimet e fundit që të infektuarit mund t’i japin fund izolimit të tyre pas pesë ditësh.

Amazon-i, në një mesazh për stafin, ka bërë me dije se politika e vet e re e izolimit njëjavor ka hyrë në fuqi menjëherë.

Pas kësaj, punonjësit që janë mbartës të virusit mund të marrin deri në 40 orë pushim me pagesë, një ulje që korrespondon me periudhën më të shkurtër të izolimit.

“Mos ejani në punë nëse jeni të sëmurë. Opsione shtesë të pushimit janë të disponueshme për individët që mbeten simptomatikë përtej një jave”, është theksuar në njoftimin e kompanisë.

Amazon-i është punëdhënësi i dytë më i madh privat në SHBA, me qindra mijëra staf të magazinës dhe logjistikës.

Edhe i pari, Walmart Inc, u ka thënë punonjësve këtë javë se po përgjysmonte pushimin e paguar për COVID-19 në përputhje me udhëzimet e përditësuara të CDC-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore