Pajisje

Amazon-i njofton ‘thatë’ punonjësit për pushimet nga puna


“Për fat të keq, pozicioni juaj nuk është më”.

Asnjë bisedë, asnjë fjalë ngushëllimi.

Një email i thatë për të njoftuar pushimet nga puna nga një ditë në tjetrën.

Kjo ndodhi me të paktën pesë punonjës të kompanisë Amazon, të cilët u njoftuan për ndërprerjen e marrëdhënies së tyre të punës me gjigantin e teknologjisë përmes një email-i.

“Nuk ju kërkohet më të kryeni asnjë punë në emër të Amazon-it me efekt të menjëhershëm”, thuhet në komunikimin e dërguar punonjësve dhe të nënshkruar nga Beth Galletti, drejtuese e burimeve njerëzore të kompanisë.

Së fundmi, kompania ka pushuar 18 mijë punonjës si pjesë e masave për uljen e kostove.

Sakaq, ky email kishte si temë “informacione të rëndësishme për rolin” e punonjësve në fjalë dhe teksti prezantonte shkarkimin duke shpjeguar se “sot po bëjmë një hap shumë të vështirë duke reduktuar shumë vende pune në biznese të ndryshme”.

Vendimi që, në njëfarë mënyrë, ndryshon jetën e atyre punonjësve, u desh të komunikohej veç me një email pa asnjë takim ballë për ballë dhe pa dialog.

“Ky nuk është një vendim i marrë lehtë dhe ne jemi të përkushtuar të ofrojmë mbështetje për të lehtësuar kalimin nga Amazon, duke përfshirë një pagesë shkëputjeje, përfitime kalimtare në varësi të vendit”, ka shtuar kompania.

Menjëherë pas marrjes së emailit, punonjësit kanë deklaruar se distinktivët e zyrës së tyre nuk funksiononin më dhe se atyre u ishte ndërprerë qasja në sistemin e brendshëm kompjuterik të kompanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore