Pajisje

Amazon-i gjobitet me 1.2 miliardë dollarë nga rregullatorët italianë


Kompania teknologjike, Amazon, është gjobitur me 1.2 miliardë dollarë nga rregullatori i Italisë.

Sipas mbikëqyrësit italian, kompania kishte abuzuar me dominimin e saj në treg, duke promovuar shërbimin e vet logjistik, Fulfillment by Amazon (FBA).

Gjithashtu ka pretenduar se kompanitë duhej të përdornin shërbimin FBA për të aksesuar përfitimet kryesore të tilla si shitja e produkteve me dërgesë Prime pa kosto shtesë për klientët dhe pjesëmarrja në shitjet e të Premtes së Zezë.

Mirëpo, vetë Amazon-i ka pohuar se “nuk pajtohej plotësisht” me vendimin dhe se do ta apelonte atë, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Kjo nuk e ka penguar rregullatorin të veçojë se Amazon-i ka vendosur shitësit e palëve të treta në disavantazh, duke kërkuar përdorimin e shërbimit për të aksesuar përfitimet dhe ngjarjet kryesore.

“Amazon-i ka penguar shitësit e palëve të treta që të lidhin etiketën Prime me oferta që nuk menaxhohen nga FBA-ja”, ka sqaruar ai në një njoftim.

Prandaj dhe autoriteti italian ka këmbëngulur se qasja në funksione të tilla është “vendimtare” për shitësit për të arritur sukses në tregun e Amazon-it.

Kështu që, ka njoftuar se do të vendosë hapa korrigjues, të cilët do t’i nënshtrohen shqyrtimit nga një administrues i besuar monitorues.

Nëpërmjet një deklarate, kompania ka bërë me dije se gjoba e vendosur ishte “e pajustifikuar dhe disproporcionale”.

“Nuk jemi shumë dakord me vendimin e Autoritetit Italian të Konkurrencës dhe do ta apelojmë atë”, ka theksuar kompania.

Sipas saj, “bizneset e vogla dhe të mesme kanë kanale të shumta për të shitur produktet e tyre si në internet ashtu edhe jashtë linje. Amazon-i është vetëm një nga ato opsione”.

Nga an tjetër, kompania teknologjike ka shtuar se ka mbështetur kaherë rritjen e bizneseve të vogla italiane.

“Investojmë vazhdimisht për të mbështetur rritjen e 18 mijë bizneseve të vogla dhe të mesme që shesin në Amazon dhe ofrojmë mjete të shumta për shitësit tanë, duke përfshirë ata që menaxhojnë vetë dërgesat”, ka treguar Amazon.

Ndërkaq, ka vijuar se shitësit e palëve të treta mund të përdorin shërbimin Seller Fulfilled Prime (SFP), i cili u jep atyre akses në përfitimet Prime pa pasur nevojë të përdorin shërbimet e veta logjistike.

Kjo gjobë nga rregullatorët italianë shënon të dytën për Amazon-in, pasi brenda së bashku me Apple-in u gjobitën me 228 milionë dollarë për kufizimin e shitjeve të kufjeve Beats, duke i kufizuar ato në shitës të përzgjedhur.

Megjithatë, si Apple-i ashtu edhe Amazon-i kanë deklaruar se planifikojnë ta apelojnë gjobën e marrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore