Pajisje

Amazon-i do të shkurtojë 18 mijë vende pune për shkak të pasigurisë ekonomike


Kompania Amazon ka njoftuar se do të shkurtojë më shumë se 18 mijë vende pune nga fuqia e saj punëtore.

Çka përbën edhe grupin më të madh të pushimeve nga puna në historinë e kompanisë amerikane.

Amazon-i ka përmendur “ekonominë e pasigurt”. Shefi ekzekutiv Andy Jassy ka thënë në një shënim për punonjësit se “mes reduktimeve që bëmë në nëntor dhe atyre që po ndajmë sot, planifikojmë të eliminojmë pak më shumë se 18 mijë role”.

Sipas tij, kompania kishte përballuar situata ekonomike të vështira në të kaluarën dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. “Këto ndryshime do të na ndihmojnë të ndjekim mundësitë afatgjata me një strukturë kostoje më të fortë”, ka shtuar ai.

Jassy ka shtuar po ashtu se pushimet nga puna do të ndikojnë më së shumti në dyqanet e kompanisë, të cilat përfshijnë Amazon Fresh dhe Amazon Go, dhe organizatat e saj PXT, të cilat merren me burimet njerëzore dhe funksione të tjera.

Paçka se nuk ka specifikuar se ku ndodhen rolet e prekura, Jassy ka treguar se do të komunikojë me punonjësit e prekur “ose kur është e aplikueshme në Evropë, me organet përfaqësuese të punonjësve” nga 18 janari.

Shkurtimet e vendeve të punës përfaqësojnë një kthesë të shpejtë për shitësin që kohët e fundit ka dyfishuar tavanin e pagës bazë për të konkurruar në mënyrë më agresive për talentin.

Dhe pushimet nga puna arrijnë në gjashtë për qind të fuqisë punëtore të Amazon-it prej rreth 300 mijë personash. Kompania ka një fuqi punëtore globale prej më shumë se 1.5 milion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore