Shqipëria

AMA, për tre muaj 30 masa ndëshkimore për televizionet


Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka ndërmarrë në total 30 masa për periudhën kohore shtator-nëntor gjatë procesit të monitorimit të përmbajtjeve audiovizive.

Por edhe nga ankesat e mbërritura në institucion lidhur me mosrespektimin e detyrimeve të ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Autoriteti ka dhënë 14 masa për mosrespektimin e kërkesave ligjore dhe Kodit të Transmetimit.

Për gjashtë televizione janë dhënë masa për përdorim fjalori të papërshtatshëm për të miturit në orare që i kufizon Kodi i Transmetimit.

Cenim që rëndon edhe mbi të drejtat e fëmijëve në bazë të nenit 32 dhe 33, i ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar si dhe pika 5.34 e Kodit të Transmetimit,

Sipas tij, “OSHMA-të duhet të zgjedhin orarin e transmetimit të programeve që mund të dëmtojnë zhvillimin mendor, fizik apo moral të fëmijëve, ose të marrin ndonjë masë tjetër teknike, që fëmijët të mos i shikojnë ose dëgjojnë të tilla transmetime”.

Ndërkaq, ora kufi është nga 22:00 deri në 06:00.

Janë marrë edhe masa të tjera për televizionet që kanë transmetuar reklamë të ndaluar.

Transmetim që ka qenë në kundërshtim me rregulloren “Për komunikimet audiovizive me natyrë tregtare, format, kushtet dhe koha ditore e lejuar për transmetimin e reklamave”, neni 19, pika 10.

Masa ka pasur edhe për rastet e diskriminimit. Kështu është proceduar për një nga televizionet.

Kjo referuar nenit 32 dhe 33 të Ligjit 97/2013, të ndryshuar dhe Kodit të Transmetimit, të cilët kërkojnë “të mos cenohet dinjiteti dhe të drejtat themelore të njeriut “ dhe “OSHMA-të nuk transmetojnë programe me përmbajtje që nxisin urrejtjen mbi baza racore, gjinie, fetare, etnike, kombëtare dhe çdo formë tjetër diskriminimi”.

AMA, gjatë trajtimit të rasteve të evidentuara si shkelje, ka bashkëpunuar në dy raste me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit referuar ankesave për reklamim të produkteve që mund të cilësohen të dëmshme për shëndetin

Gjithashtu ka bashkëpunuar në tre raste me Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, për reklamat e barnave mjekësore që nuk kanë përmbushur kërkesat e Rregullores “Për publicitetin e barnave”.

Krahas vlerësimit për angazhimin dhe kontributin e televizioneve në funksion të informimit dhe edukimit të publikut, AMA apelon për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga ligji numër 97/2013.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore