Vende

Alpet e Valbonës, çatia e Shqipërisë


Kryelartë, plot nur e bukuri qëndrojnë në pjesën më malore të Shqipërisë Alpet e Valbonës.

Valbona nuk është thjesht një destinacion natyror i Shqipërisë, ajo është një kompleksitet dukurish interesante, si e gjithë pjesa tjetër e Alpeve Shqiptare, që ngërthen bashkë të gjitha kuptimet e së bukurës.

Valbona u tregon udhëtarëve madhështinë e saj përmes maleve hijerënda, thellësinë e saj përmes pyjeve e humnerave, pastërtinë e saj përmes ujit të kristaltë ku vallëzojnë troftat e arta.

Uji i kristaltë i Valbonës

Lugina është një park ndërkufitar me vlerat më të larta të biodiversitetit.

Takohen pyje të ahut, pishës, rrobullit, bredhit, livadhe alpine (bjeshkë), pyje të gështenjës (Castanea sativa) në gjendje natyrore, përrenj e lumenj malorë

Këtu bukuritë e natyrës marrin formën e majave shkëmbore të larta e imponuese me faqe të veshura me pyje mes të cilave shtrihen e ndihet rrjedha e përrenjve edhe e lumit të Valbonës.

E parë nga lart të ofron imazhin e një krateri gjigand të zbukuruar mrekullisht me të gjitha ngjyrat e natyrës së gjallë Në hyrje të kufirit lindorë, në afërsi të Shoshnit, të impresionon një peizazh i rrallë për nga bukuria.

Flora dhe fauna

Tokat janë të kafejta, të murrme pyjore dhe livadhore. Për sa i përket florës dhe faunës është mjaft e larmishme.

Diferencimet e mëdha mbi nivelin e detit në mes të zonës fushore e cila është (300m) dhe asaj malore (mbi 2000m), majave shumë të larta dhe luginave të thella, ekspozimit të shpateve ndaj rrezatimit diellor, përbërjes gëlqerore të shkëmbinjve, burimeve të shumta ujore dhe mikroklimave që krijohen, krijojnë kushte ideale për shumllojshmërinë e biodiversitetit.

Bujtinat

Bujtinat janë ndër gjërat më të bukura të Tropojës. Ushqimi dhe mikpritja janë karakteristikë e kësaj zone.

Flija e pjekur në saç dhe mishi i shijshëm i kecit, trofta e freskët apo turshitë dhe djathi i shtëpisë, ndër të tjera janë një motiv më shumë për ta vizituar këtë Luginë të mrekullive.

Kohët e fundit, jo pak turistë provojnë sportet dimërore dhe përjetojnë nga afër magjinë e Valbonës nën borë! Duhet të keni parasysh se këtu bukuria, madhështia e magjia e kësaj zone dyfishohet, madje arrin disa maja të cilat vështirë se mund të kalohen.

Vera ofron freskinë dhe ajrin e pa krahasueshëm.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore