Sport

Allegri para Superkupës: Chiesa i ri, ka kohë për rikuperim, luan Perin


Trajneri i Juventus-it, Massimiliano Allegri, ka folur në konferencën për shtyp para Superkupës së Italisë. Bardhezinjtë do të përballen me Inter-in të mërkurën në “San Siro”, për Superkupën. Juventus-i vjen si fituesi i Kupës së Italisë dhe Inter-i si fitues i Serie A.

Tekniku livornez ka folur për gjendjen aktuale të skuadrës, dëmtimin e Federico Chiesa-s, merkaton, apo dhe përmirësimin e lojës së bardhezinjëve.

Allegri tha se ende nuk i kishte shumë të qarta idetë se me cilët lojtarë do të niste Superkupën nga minuta e parë. Ndërsa konfirmoi se në portë do të jetë, Mattia Perin-i.

“Nuk i kam të gjitha shumë të qarta, duhet të shoh stërvitjen e sotme. Kemi lojtarë që nuk mund të rekuperohen. Bonucci është rekuperuar dhe do të jetë në dispozicion”, tha tekniku bardhezi.

“Danilo nuk ndihet i sigurt, ndoshta javën tjetër do e kemi në dispozicionin tonë”.

“Nesër luan Perin në portë. Szczesny nesër vjen në momentin e fundit, ka një protokoll të përcaktuar. Të gjithë lojtarët janë të vaksinuar, ai është i fundit që u vaksinua. Jam i qetë dhe më vjen mirë që luan Perin. Për të tjerët të shohim”.

“Çdo rezultat që do të vijë nuk duhet të ndikojë në rrugën tonë. Të shtunën kemi një ndeshje të vështirë ndaj Udinese-s, të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme”.

“Nesër një ndeshje teke, episodet duhet të jenë në favorin tonë, duhet një ndeshje inteligjente. Më pas do të mendojmë për kampionatin”, shtoi Allegri.

Ai foli gjithashtu edhe për dëmtimin e Chiesa-s dhe si do të ndryshojë merkato e “Zonjës së Vjetër”.

“Kam biseduar me të pas ndeshjes, dje në mëngjes. Mbi të gjitha më vjen keq, në radhë të parë për të dhe për futbollin italian”, theksoi trajneri.

“Gjëra që ndodhin, ai është i ri, ka kohë për t’u rekuperuar. Ishte mirë, edhe mendërisht, ishte i qetë, do të na kishte dhënë shumë në gjysmën e dytë të sezonit. Tani ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë”.

“Nuk po flas për merkaton. Kjo është skuadra dhe qëndrojmë me këta, pastaj shohim zhvillimet. Kemi Kulusevski, Kaio Jorge, Morata, Dybala. Nëse është e nevojshme, edhe Cuadrado”, vijoi ai.

Në fund, Allegri foli edhe për aspektet që duhen përmirësuar në lojën e Juventus-it. Ai vuri theksin te pasimet dhe qetësia në lojë.

“Një gjë për t’u përmirësuar është cilësia e pasimeve, qetësia në lojë. Ne nxitojmë të ndërtojmë dhe nxitimi është diçka e keqe”, tha livornezi.

“Një gjë është shpejtësia e pasimeve, një tjetër është nxitimi. Duhet të përmirësohemi pak. Ata janë një ekip fizik, është një ndeshje teke, duhet të shfrytëzosh episodet, të mbrohesh mirë, të sulmosh mirë”, përfundoi 54-vjeçari.

Juventus-i është skuadra që e ka fituar më shumë Superkupën e Italisë, nëntë herë. Ndërsa ka humbur shtatë herë të tjera në finale. Inter-i e ka fituar pesë herë dhe ka humbur katër herë të tjera në finale.

Paulo Dybala është golashënuesi më i mirë në historinë e Superkupës italiane. Argjentinasi ka shënuar katër gola në pesë paraqitje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore