Sport

Allegri konfirmon rikthimin e Pjaniç?


Trajneri italian, Massimiliano Allegri gjatë prezantimit te Juventus-i ditën e martë është pyetur nga gazetarët për një rikthim të mundshëm të ish-mesfushorit bardh e zi, Miralem Pjaniç.

Pjaniç është një nga lojtarët më të përfolur për t’u larguar nga Barcelona këtë verë, për shkak edhe të pagave që dëshiron të ulë klubi blaugrana.

Gjatë prezantimit, Allegri ka thënë se “ne kemi Cristiano-n (Ronaldo) që është një goditës i mirë ( i faullave) nga larg dhe (Paulo) Dybala që e bën mirë nga afër. Ata kanë këmbë të ndryshme, por një lojtar i djathtë i mirë mund të mbërrijë së shpejti për të marrë goditje të lira. Ne jemi duke punuar për të”.

Ishin këto fjalët e teknikut, që pohojnë karakteristikat e Pjaniç-it. Boshnjaku ishte një nga lojtarët më të përdorur të Allegri-t gjatë kohës së tij te Juventus-i dhe natyrisht së bashku me Dybala-n ishin gjuajtësit e goditjeve të dënimit.

Gjithasesi, Juventus-i po pret të mbyllë një herë marrëveshjen me Sassuolo-n për Manuel Locatelli-n dhe më pas do të hidhet në sulm për Pjaniç-in, një transferim që pritet t’u kushtojë më pak se 10 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore