Sport

Alioski afër transferimit në Galatasaray


Futbollisti shqiptar, Ezgjan Alioski, është shumë afër transferimit në klubin e madh turk, Galatasaray.

Lajmin e ka bërë të ditur gazeta turke “Fanatik”, sipas të cilës Alioski tashmë ka nënshkruar një para-kontratë me klubin e Galatasaray, por detajet e kontratës ende nuk janë bërë të ditur.

Për futbollistin e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, gjithashtu ishin të interesuar edhe klubet tjera turke si Fenerbahce e Trabzonspor, por në fund Galata arriti të sigurojë shërbimet e tij.

29-vjeçari pritet të zbarkojë këto ditë në Stamboll, për t’iu bashkuar grupit tjetër të skuadrës.

Kujtojmë që Alioski, përfundoi kontratën e tij me skuadrën angleze, Leeds United, me të cilët nuk arriti marrëveshje për të vazhduar bashkëpunimin.

Derisa, ai u transferua te Leeds, në verën e vitit 2017 nga skuadra zvicerane, Lugano, për shumën e 2.5 milionë eurove.

Alioski ka shënuar 22 gola dhe ka dhuruar 19 asistime në të gjitha garat me skuadrën angleze, gjatë katër vite sa luajti aty, ku një vit ishte në Premierligën angleze, ndërsa për tre sezone luajti në kategorinë e dytë të futbollit anglez, Championship.

Ai gjithashtu është pjesë e kombëtares maqedonase që nga viti 2013, me të cilët ka arritur të shënojë nëntë gola në 46 paraqitje, ku së fundi u paraqit edhe në Kampionatin Evropian.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore