Alibeaj tërheq ankimin për bashkimin e statuteteve, kërkon vendimmarrje para 14 majit
Rajmonda Basha
17.01.2023 9:16Përfaqësuesi ligjor i grupit të Alibeajt, Indrit Sefa në një deklaratë për mediat bëri me dije se ky grupim është tërhequr nga ankimi për bashkimin e dy statuteve.
“Sot dëshirojmë t’ju informojmë që në seancën gjyqësore që pritet të fillojë pas pak Partia Demokratike do të paraqesë një kërkesë për heqjen dorë nga ankimi e për pasojë pushimin e gjykimit të kësaj çështje. Si fillim vlen te theksohet se kjo çështje është e natyrës procedurale dhe tashmë i ka rënë aktualiteti”, tha ai.
Sipas tij gjykimi i sotëm për të cilin “ne kërkojmë pushimin e çështjes, përcakton nëse kuvendi i korrikut do të regjistrohet apo jo në regjistrin e partive politike të Gjykatës së Tiranës”.
“Për shkak se statuti i miratuar nga Kuvendi i korrikut 2021 është akti mbi të cilin pretendohet se është bazuar mbledhja e të vetëquajturit Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 vijimi i gjykimit të kësaj çështje thjesht pengon gjykimin e çështjes mbi legjitimitetin e Kuvendit të 11 dhjetorit dhe zgjidhjen përfundimtare të legjitimitetit të organeve drejtuese të Partisë Demokratike”.
Ndër të tjera, Sefa deklaroi se “në kushtet kur çështja është shndërruar në artificë juridike që po zvarritet jemi të bindur se gjyqi i planifikuar për sot ndoshta është bërë pengesë për gjykimin e vendimit të Zhukrit, që është në thelb dhe problematika kryesore që pret zgjidhje”.
Gjyqi i PD-së
Ishte përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso – që e konsideroi nul vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për të njohur si ankimimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj – ndaj vendimit të gjyqtarit, Agron Zhukri, që mandatoi Komisionin e Rithemelimit si organi drejtues i PD-së.
Më 25 mars, Alibeaj, fill pas vendimit të njohjes nga gjykata të ndryshimeve statutore të dala nga Kuvendi Kombëtar i PD-së më 11 dhjetor – i thirrur nga lideri Sali Berisha – deklaroi se, siç parashikon ligji, do ta ankimojnë këtë vendim.
Duke e cilësuar si një vendim në nivelet e skandalit, Alibeaj bëri të ditur se do të ketë kallëzim penal për gjyqtarin Agron Zhukri.
Ky i fundit, sipas tij, ka nxjerrë një vendim pa dosje e fakte dhe pa patur palët.
Sipas tij, që një vendim të ketë efekt, palët duhet të jenë prezentë dhe kjo u është mohuar nga gjykata.
Sakaq, ai ka vijuar se dosjet janë në Gjykatën e Apelit dhe, për rrjedhojë, gjyqtari, sipas tij nuk i ka poseduar këto prova.
Herë pas here janë bërë përpjekje për bashkim. Por, PD ka ngelur e ndarë. Me caktimin e 14 majit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, dy grupimet brenda PD-së bënë përpjekje për bashkim, duke përcaktuar edhe “nikoqirët e bisedimeve”.
Gazment Bardhi dhe Edi Paloka – pavarësisht përpjekjeve – nuk e gjetën konsensusin për të dalë me një kandidat të vetëm.
Kështu, pas kushteve të vendosura nga secili, konsensusi nuk u realizua.