Shqipëria

Alibeaj kërkon çregjistrimin e koalicionit të Berishës dhe Metës nga zgjedhjet


Partia Demokratike zyrtare, e drejtuar nga kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj, ka kërkuar nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve çregjistrimin e menjëhershëm të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i cili do të shohë të garojnë nën një ombrellë tre parti politike, duke shtuar edhe kandidatët e Sali Berishës, i cili nuk është i përfaqësuar me logo partiake në këto zgjedhje.

Ky i fundit, mbeti jashtë regjistrimeve mbi votimet vendore të 14 majit, pasi Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, vendosi të regjistrojë PD-në me kryetar të komanduar Alibeajn dhe përfaqësues ligjor Indrit Sefën, në zgjedhje.

Mirëpo, përtej këtij fakti, Alibeaj sërish duket i pakënaqur nga vendimi i Celibashit, pavarësisht faktit se koalicioni “Bashkë Fitojmë”, është regjistruar pa pasur në përbërjen e tij Partinë Demokratike.

Kërkesa fillestare e Partisë së Lirisë si drejtuese ligjore e koalicionit, ishte ajo për të pasur katër parti në përbërje.

Partinë e Lirisë, atë Demokristiane, Partinë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, si edhe Partinë Demokratike me kryetar Sali Berishën.

Por, bazuar në aspektin ligjor, është e pamundur për Berishën të përdorë logot dhe simbolet e forcës së djathtë politike, ndaj ai mbeti jashtë koalicionit ligjërisht.

Në bazë të kërkesës së dorëzuar nga përfaqësuesi ligjor i PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Indrit Sefa, sipas tij, pavarësisht vendimit të komisionerit Celibashi për ta lënë PD-në (e Berishës) jashtë koalicionit në aspektin juridik, shkresat e depozituara në KQZ vijojnë të mbeten ato me PD-në pjesë e komisionit.

Ndaj, mbi këtë argument, ai parashtron se Partia Demokratike, nuk ka dorëzuar asnjë kërkesë në KQZ për të qenë pjesë e një komisioni dhe tashmë nga KAS, kërkon shfuqizimin e plotë të vendimit të komisionerit, për ta regjistruar koalicionin “Bashkë Fitojmë” në zgjedhje.

Celibashi regjistron koalicionin “Bashkë Fitojmë”, por pa PD-në e Berishës pjesë të tij

Më parë, ka qenë pikërisht KAS, organi i cili i dha të drejtë Sefës dhe kërkesës së PD-së të përfaqësuar nga Alibeaj, për të qenë pjesë e zgjedhjeve me logot zyrtare të demokratëve.

Teksa, nga ana tjetër, grupimi i Berishës, e ka çuar gjithë çështjen në Kolegjin Zgjedhor, ku pritet të merret një vendim përfundimtar se kush PD do të jetë e regjistruar në zgjedhje.

Mbi këtë të fundit, në një intervistë për Albanian Post, ka qenë ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, ai i cili shprehu bindjen se që të ketë një kthim vendimi nga Kolegji, ka shumë pak gjasë, pasi Celibashi dhe KAS, kanë vepruar konform bazës ligjore.

Ish-kreu i KQZ-së për Albanian Post: PD-ja po paguan vendimet e lidershipit, nuk mund të ketë zgjidhje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore