Lajme

Ali Ahmeti pas dështimit të mosbesimit ndaj Zaev: Sot ngadhënjeu ndërgjegjja e të arriturave të përbashkëta


Kreu i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, pas dështimit të mocionit të mosbesimit ndaj kryeministrit Zoran Zaev, me të cilin ai është në koalicion qeverisës, mbajti një qëndrim mbi situatën politike në vendin fqinj, duke shkruar se ajo çfarë ngjau natën e 11 nëntorit, ishte ngadhënjimi i ndërgjegjes dhe të arriturave të përbashkëta.

Ajo çfarë fitoi për Ahmetin, ishte “liria, barazia, drejtësia, fqinjësia e mirë, orientimi euroatlantik i vendit tonë dhe e ardhmja e sigurt pro perëndimore”.

Ai vijon duke thënë se Maqedonia e Veriut, ka nevojë për shumë siguri. Po ashtu, edhe për tepër stabilitet dhe parashikueshmëri politike të plotë.

Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti

Sipas tij, mohimi i Marrëveshjes së Ohrit apo asaj të Prespës, nuk kanë vend në Shkup. Aq më pak mohimi i fqinjësisë së mirë, NATO-s, Bashkimit Evropian, Republikës së Kosovës apo gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.

Miqësinë me SHBA-të dhe BE-në, Ahmeti i cilëson si të pa alternativa dhe të pacenueshme. Nuk duhet të ketë asnjë kush dhe asnjë rrethanë për të, edhe që të lihet shkas për të cenuar miqësinë me vendet e rajonit.

“Siç ju thash, nuk do të veprojmë as me emocione e as në eufori. Bashkë përgjithmonë!”, përmbyll postimin Ahmeti.

Me rrëzimin e mocionit të mosbesimit, situata në Maqedoninë e Veriut mbetet e paqartë.

Zaev deklaroi fillimisht se do të dorëhiqej nga posti i kryeministrit të vendit fqinj pas rezultateve në zgjedhjet lokale. Mirëpo dorëheqja faktike, nuk erdhi.

Partia kryesore opozitare, VRMO-DPMNE, kërkoi më pas ta rrëzonte me vota Qeverinë.

Ata fillimisht shprehën se i kishin votat e nevojshme për ta kaluar në Parlament. Por, kuorumi i nevojshëm nuk u arrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore