Lajme

Alex Whiting zëvëndëson Jack Smith në Speciale


Jack Smith dhe Alex Whiting

Alex Whiting, ka zëvendësuar ish-kryeprokurorin e specializuar, Jack Smith, në Gjykatën Speciale.

Kështu të paktën kanë njoftuar Dhomat e Specializuar të Kosovës në Hagë përmes një komunikate për media, pasi Smith, i cili po hetonte ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është liruar nga detyra e kryeprokurorit të specializuar, për të marrë një detyrë të re, atë të Këshilltarit Special nga Prokurori i Përgjithshëm Amerikan, Merrick Garland, për të mbikëqyrur hetimet penale për ruajtjen e informacionit të mbrojtjes kombëtare në resortin Mar-a-Lago të ish-presidentit Donald Trump dhe pjesë të kryengritjes së 6 janarit 2021.

Alex Whiting do të jetë ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të specializuar në Gjykatën Speciale derisa të emërohet një kryeprokuror i ri i specializuar.

“Ai ka të njëjtat kompetenca si prokuror i specializuar dhe nuk do të ketë asnjë ndërprerje në punën e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar në asnjë aspekt”, thuhet në njoftimin për media.

Por, kush është Alex Whiting?

Whiting, 58 vjeç, është prokuror me kombësi franko-amerikane me përvojë të gjerë në procedime penale në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Ka punuar në ZPS që nga qershori i vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, dhe duke filluar nga muaji gusht 2020 si Zëvëndës Prokuror i Specializuar.

Whiting ka ardhur në ZPS nga Fakulteti Juridik i Harvardit, ku ka punuar si profesor i praktikës ligjore që nga viti 2013.

Midis vitit 2010 dhe 2013, Whiting ka qenë pjesë e Zyrës së Prokurorit në GJPN ku kapunuar fillimisht si Koordinator i Hetimeve, duke mbikëqyrur të gjitha hetimet, dhe pastaj si Koordinator i Procedimeve Penale, duke mbikëqyrur të gjitha ndjekjet penale. Përpara se të bëhej pjesë e GJPN-së, Whiting ka dhënë mësim për tre vite si ndihmës profesor juridik i praktikës në Fakultetin Juridik të Harvardit.

Midis vitit 2002 dhe 2007, Whiting ka punuar për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish- Jugosllavinë ku ka qenë kryeprokurori i çështjes në gjykimin e Fatmir Limaj, Isak Musliu, dhe Haradin Bala, dhe kryeprokuror i çështjes në gjykimet e Milan Martiç dhe Dragomir Millosheviç.

Përpara se të bëhej pjesë e TPNJ-së, Whiting ka qenë prokuror federal në SHBA, fillimisht në Departamentin e Çështjeve Penale në Divizionin për të Drejtat Civile në Uashington DC dhe pastaj me Zyrën e Prokurorit të SHBA-së në Boston, Massachusetts, ku është përqëndruar në raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Whiting është i diplomuar nga Yale College dhe nga Yale School Law.

Smith është emëruar Prokuror i Specializuar në maj të vitit 2018 dhe ka marrë funksionet e tij në shtator 2018.

I rrodhën dokumente, fshehu provat dhe tejkaloi afatet – për çfarë do mbahet mend Jack Smith në Speciale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore