Lajme

Alec Baldwin pranon se karrierës së tij mund t’i ketë ardhur fundi pasi vrau Halyna Hutchins


Alec Baldwin e ka pranuar se karrierës së tij mund t’i ketë ardhur fundit pasi vrau aksidentalisht në sheshin e xhirimit të filmit të tij “Rust”, kinematografen Halyna Hutchins dhe plagosi regjisorin Joel Souza.

“E di që nuk e kreva unë vrasjen. Dikush vendosi plumba të vërtetë në atë pistoletë. Nuk e bëra unë”.

Kështu tha Baldwin i përlotur gjatë një interviste për gazetarin amerikan George Stephanopolous – e para që prej ngjarjes, e cila tronditi jo vetëm industrinë e filmit, por gjithë botën.

Paqartësitë mbi çështjen, ende vijojnë të jenë. Vetë Baldwin e pohon se “nuk e di çfarë ka ndodhur në set”.

Alec Baldwin

“Do të jap gjithçka që ngjarje të tilla të mos ndodhin më”, rrëfeu ai ndërkohë që vijonte të theksonte se nuk e dinte se si plumbat kishin shkuar në armën e përdorur në film.

Sipas dinamikës së përshkruar prej tij, ishte Halyna, ajo e cila po komandonte çdo lëvizje të tijën. Ai shpjegoi se Halyna i kërkoi të mbante armën të drejtuar aty ku ajo mendonte se do të figuronte më mirë në kamera.

Më pas, drejtimi sipas saj, duhet të ishte pikërisht i drejtuar për nga ajo, në një pozitë të caktuar. Për të simuluar gjuajtjen, Baldwin duhej thjesht të kalibronte armën. Ai nuk duhet ta shkrepte atë.

“Këmbëza nuk ishte e tërhequr. Unë nuk e tërhoqa. E kalibroj armën, gati për xhirim. Recitova batutën që kisha në rol: A mund ta shohësh atë? A mund ta shohësh atë? A mund ta shohësh atë? Dhe arma u shkrep”.

Kështu e rrëfen Baldwin çastin më rrëqethës në karrierën e tij.

Gjithçka pasoi, ishte një tmerr, të cilin një botë e tërë e përjetoi. Hutchins, 42-vjeçare, u transportua drejt spitalit, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.

Kinematografja Halyna Hutchins

Ajo u përshkrua post-mortem si një ndër kinematografët më premtuese të industrisë. E ardhur nga Ukraina me një ëndërr të madhe amerikane në vizion, Hutchins-it iu ndërpre rrugëtimi nga një ngjarje, e cila ende ka nevojë për hetim për t’u zbardhur.

Por, përtej rrugëtimit të ndërprerë të Hutchins, duket se e ndërprerë, do të jetë edhe rruga e Baldwin në kinematografi…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore