Lajme

Alec Baldwin: Nuk e shkrepa unë armën që vrau Halyna Hutchins


“Nuk do të drejtoja kurrë armën tek dikush dhe më pas të tërhiqja këmbëzën. Kurrë!”.

Për herë të parë që prej tragjedisë në setin e filmit Rust, Alec Baldwin ka folur mbi ngjarjen dhe detajet e incidentit, i cili i mori jetën kinematografes Halyna Hutchins dhe plagosi regjisorin, Joel Souza.

Intervista e plotë e Baldwin do të jetë një 80-minutësh intensiv. Të paktën, kështu garanton gazetari George Stephanopoulos.

“Kam kryer mijëra intervista në 20 vjetët e fundit. Kjo ishte më intensivja”, shkruan ai në Twitter.

Ndër të tjera, ai e përshkruan aktorin 63-vjeçar si një person “të shkatërruar” nga ngjarja.

“Nuk e kam idenë çfarë ndodhi”, dëgjohet Baldwin duke thënë në parantezën e intervistës së tij. “Dikush vendosi një plumb brenda armës. Një plumb, i cili as duhet të ndodhej në sheshxhirim”.

Incidenti i ndodhur ndërkaq, përshkruhet si një episod “një në trilion”, duke nënvizuar faktin se është shumë e rrallë që diçka e tillë të ndodhë.

Hutchins, u qëllua gjatë xhirimeve të filmit Rust dhe ajo nuk arriti t’i mbijetojë plagëve. Shuarja e saj shkaktoi një pikëllim të madh në botën e kinematografisë.

Ndërkoqë që prej asaj dite, debati vijon të jetë i hapur, mbi përdorimin e armëve në sheshet e xhirimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore