Lajme

Aleancë kundër Iran-it, në tryezën e samitit trepalësh Izrael-Egjipt-EBA


Kryeministri izraelit Naftali Bennett i ofroi presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sissi dhe liderit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed Bin Zayed al-Nahyan gjatë samitit tripalësh – formimin e një aleance kundër Iran-it.

Lajmi bëhet i ditur nga korrespondenti i korporatës së transmetimit publik izraelit, Amichai Stein.

Vizita e presidentit sirian Bashar Assad në Emiratet e Bashkuara Arabe të premten e kaluar, ku ai u prit nga princi i kurorës, ishte gjithashtu në tryezën e diskutimit.

Këtë e njofton e përditshmja izraelite “The Times of Israel”.

Bennett, zyra e të cilit sheh me shqetësim rikthimin e qëndrueshëm të Assad-it në botën arabe, shprehu qëndrimin e Izrael-it gjatë takimit.

Al-Nahyan, i parë gjerësisht si sundimtari de fakto i EBA-ve, u ofroi homologëve të tij më shumë informacion mbi vizitën e së premtes.

Vizita e Assad-it u dënua ashpër nga administrata Biden.

Tema e mbrojtjes ajrore ishte gjithashtu një temë qendrore gjatë takimit të së martës.

Bennett prezantoi vizionin e tij për një rrjet rajonal të mbrojtjes ajrore.

Diskutimi i mbrojtjes ajrore erdhi disa javë pas dy incidenteve të bujshme në rajon.

Rebelët Houthi në Yemen përshkallëzuan sulmet e tyre me dronë dhe raketa në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërsa, Korpusi i Gardës Revolucionare iraniane (IRGC) lëshoi ​​12 raketa pranë konsullatës amerikane në qytetin verior të Irak-ut, Erbil.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore