Lajme

Aleanca e re për vaksinat, Austri-Danimarkë-Izrael


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pohoi më 4 mars se Izraeli, Austria dhe Danimarka do të krijojnë një fond të përbashkët kërkimi dhe zhvillimi, me qëllim që të luftojnë COVID-19 dhe variantet e reja të coronavirus-it.  Me shumë gjasë do të krijohen edhe struktura prodhimi, për vaksinat kundër COVID-19.

“Do të krijojmë një fond të përbashkët kërkim-zhvillimi. Do të diskutojmë mbi mundësinë e investimeve të përbashkëta për prodhimin e vaksinave”, deklaroi Netanyahu krah kancelarit të Austrisë dhe kryeministrit të Danimarkës.

Austria dhe Danimarka janë shfaqur të irrituara, për shkak të furnizimit të ngadaltë të vaksinave kundër COVID-19.

Kjo lëvizje nga dy shtetet anëtare të Bashkimit Evroian (BE) vjen pas vonesave te porositë, miratimi dhe shpërndarja e vaksinave.

Kancelari austriak deklaroi se prokurimi i vaksinave për shtetet anëtare është i drejtë, por Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka qenë shumë e ngadaltë në miratimin dhe zgjidhjen e ngërçit të furnizimit me kompanitë farmaceutike.

Ndërkohë, Netanyahu deklaroi se 90% e izraelitëve ose kanë marrë të paktën njërën dozë të vaksinës Pfizer ose kanë kaluar COVID-19.

Komisioni Evropian (KE) ka pohuar se vendet anëtare janë të lira të bëjnë marrëveshje të ndara.

Rikujtojmë se kryeministri i Izraelit ka vendosur vaksinimin e popullsisë në qendër të kandidimit të tij në zgjedhjet e 23 marsit.

Asnjë nga tre shtetet nuk ka kapacitet të konsiderueshëm për të prodhuar vaksinat. Mungesa e kapaciteteve vë në pikëpyetje ambiciet e tyre për të vetëprodhuar vaksinat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore