Lajme

Albin Kurti përgëzon Olaf Scholz për fitoren e SPD-së në Gjermani


Albin Kurti - Kryeministër i Republikës së Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka përgëzuar kandidatin për kancelar nga radhët e Partisë Sociale Demokrate (SPD), Olaf Scholz, me rastin e fitores së kësaj partie në zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani.

“Në një botë që përballet me sfida të mëdha, fitorja e partisë suaj në zgjedhje është një sinjal i fortë për përparim politik, demokraci sociale dhe kohezion shoqëror”, ka shkruar Kurti në një postim të publikuar në llogarinë e tij të Twitter.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të mbajtura të dielën e 26 nëntorit të këtij viti, tregojnë se SPD-ja, ka siguruar 25.7% të votave, duke bërë që konservatorët e Angela Merkel-it, CDU/CSU të pozicionohen në vend të dytë me gjithsej 24.1% të votave.Ndërkaq, Partia e të Gjelbërve ka shënuar rezultatin më pozitiv në historinë e tyre politike në Gjermani, teksa u renditen të tretët me gjithsej 14.8% të votave.

Shifrat e publikuara deri më tani tregojnë se është jetike formimi i një koalicioni për krijim të ekzekutivit, ani pse, Scholz, ishte shprehur se ai dhe partia e tij kishin mandat të qartë qeverisjeje.

Bazuar në rezultatet preliminare, SPD ka fituar 206 ulëse në Bundestag, pasuar  nga CDU/CSU me 196, të Gjelbrit 118 ulëse, Demokratët e Lirë FDP 92 sosh, Alternativa për Gjermaninë AfD 83 nga to, e majta 39 dhe SSW me vetëm një ulëse.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën e 27 shtatorit, ka pritur në takim homologun e tij shqiptar, Edi Ramën, ndërsa në një konferencë të përbashkët për media, ai ka theksuar sfidat në të cilat të dy kryeministrat i kanë marrë mandatet e reja për qeverisje.

“U dakorduam që ta kemi një sekretariat koordinues për marrëdhëniet tona bilaterale i cili do të udhëhiqet nga Gentian Sala, i cili ka dy pasaportat”, ka thënë Kurti.

“Mandatet e dy qeverive tona i kemi marrë në një kohë me përplot sfida, përballja me pandeminë me COVID-19, rimëkëmbja ekonomike dhe zhvillimi i institucioneve demokratike janë disa nga sfidat tona për të cilat do të angazhohemi së bashku”, ka shtuar ai.

Përtej sfidave, Kurti ka potencuar se të dy qeveritë kanë mundësi e potencial për të realizuar projektet, duke rritur bashkëpunimin.

“Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik. Nëse ka vende që kjo duhet të bëhet sa më shpejt këto janë pikërisht Kosova e Shqipëria sepse jo vetëm që e njohim njëra tjetrën por edhe e kemi besimin e plotë te njëra tjetra”, u shpreh Kurti.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore