Lajme

Albin Kurti, një nga personat që do intervistohet nga Komisioni Hetimor për Energjinë Elektrike


Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të intervistohet nga Komisioni Hetimor Parlamentar për Energji Elektrike të iniciuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes vetëvendosje e që ka për qëllim të hetojë të gjitha proceset dhe vendimet e marra për energji elektrike nga viti 2006 e deri në vitin 2022.

Kështu ka deklaruar për Albanian Post, Hajdar Beqa, Kryetar i Komisionit, në një intervistë telefonike meqë këtë të premte do të votohet lista e personave që do të intervistohen nga ky komision.

“Në listë do të jetë edhe Albin Kurti, si kryeministër i vendit. Edhe kryeministrat para tij. Të gjithë ata që kemi mundësi t’i intervistojmë”, ka thënë prerazi Beqa.

“Kompetencat e Komisionit të cilin e udhëheq unë janë më të zgjeruara dhe ne duhet të marrim informata nga të gjitha palët për të dalë me një raport konkret për kuvendin, ne si trupë e kuvendit. Në të njëjtën kohë për të qenë të saktë gjatë rrugës do të shikojmë eventualisht a na duhen materiale shtesë”, tha Beqa.

Deputeti i PDK-së, i cili në këtë komision ka rolin udhëheqës ka thënë se lista e personave që do të intervistohen në këtë proces, është e gjatë.

“Të gjithë bartësit e institucioneve të energjisë të cilët kanë qenë në detyrë nga viti 2006 deri në vitin 2022, në ditën që është formuar komisioni, më 5 maj, ne do t’i ftojmë në intervistë”.

“Këtu përfshihen Bordet dhe menaxhmenti i KEK-ut edhe në kohën e AKM-së kur ishte para shpalljes së pavarësisë, 2006-2008 dhe bordet e tjera”.

Në listën e gjatë të të intervistuarve, Beqa tregon se do të ketë edhe shumë politikanë, përveç kryeministrit Kurti. Do të intervistohen të gjithë ata që kanë mundësi teknike dhe fizike për t’u intervistuar.

“Kryeministrat të cilët kanë qenë gjatë periudhave të caktuar dhe normal edhe në aspektin legjislativ do të ftohen edhe kryetarë e kuvendeve, nëse eventual na duhen për ndonjë sqarim dhe komisioni përkatës parlamentar që kanë qenë në periudhë të caktuar nga viti 2006 e deri më tani”, tregon Beqa për Albanian Post.

Komisioni Hetimor Parlamentar për Energji Elektrike 2006-2022

Pa u analizuar nuk do të mbeten as raportet e auditorëve të brendshëm e të jashtëm, për të gjitha veprimet që kanë ndodhur në institucionet gjegjëse me energji elektrike në Kosovë.

Ndërsa lëndët që janë në proces gjyqësor nuk do të trajtohen.

“Në të njëjtën kohë ka lëndë që janë në procese gjyqësorë e ne nuk do të merremi me to, sepse nuk kemi të drejtë të interesojmë sepse për ndonjë lëndë ka vendim gjyqësorë vetëm do ta cekim në raport që është në proces gjyqësorë dhe kemi këtë aktgjykim. Do të koordinohemi edhe me këshillin gjyqësor nëse na duhet edhe këshilli prokurorial për informata shtesë”, sqaron Beqa.

“Qëllimi ynë është që të kemi një raport profesional, të saktë dhe të pasqyroj pretendimet eventuale të propozuesit të komisionit”, përfundoi ai.

Këtë të premte, duke filluar nga ora 12:00, Komisioni parlamentar Hetimor për Energji Elektrike do të mbaj mbledhjen e rregullt.

Një ndër pikat e rendit të ditës do të jetë edhe lista e dëshmitarëve të cilët do të intervistohen gjatë këtij procesi. Listë kjo e cila sipas kryetarit të komisionit, Hajdar Beqa, mund të ndryshohet rrugës varësisht nga procesi hetimor dhe dokumentet që pranojnë gjatë hetimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore