Lajme

Albin Kurti në fushatë: Do ta ulim çmimin e rrymës – është shumë shtrenjtë kur qëndrojmë mbi gjithë këtë energji (VIDEO)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje kishte premtuar se do ta ulte çmimin e energjisë elektrike po sa të vije ai në pushtet.

Në një nga paraqitje televizive kur i shtrohet pyetja se sa do të jetë ulja e çmimit të rrymës në amvisni, në qeverisjen e tij, ai thotë se “Nuk mund ta them sot se sa do të ulet energjia elektrike, por e di që Kontar Global-i nuk do të vjen në shprehje më, ajo do të na e shtrenjtonte energjinë elektrike”.

Ai tutje thotë se “ne nuk paguajmë me buxhetin e Kosovës për ata që se paguajnë energjinë elektrike, qofshin në Veri ose jo”.

Ai thotë se nuk mund ta thotë sot, por se do ta synoj uljen e energjisë elektrike sepse “tepër shtrenjtë kur rrimë mbi tërë këtë energji që kemi. Shumë kemi kapacitet [Qymyr]”.

Ndërsa, kryetari i Partisë Social Demokrate (PSD), Dardan Molliqaj ka shpërndarë videon.

Ai së bashku me videon ka shtruar edhe disa pyetje por edhe ju ka dhënë përgjigje, pra, duke ia kujtuar Kurtit premtimet e dhëna dhe të bërat gjatë qeverisjes, të cilat bien në kundërshtim të plotë mes vete.

“Premtonte ulje të çmimeve të rrymës, tash i rritë ato. Premtonte që nuk do t’ua paguaj rrymën serbëve të veriut, tash po ua paguan”.

“Premtonte rishikim të procesit të privatizimit të distribucionit të KEK-ut, tash me taksat tona po ia paguan 120 milion euro humbje KEDS-it. Premtonte ndjekje penale për privatizuesit e distribucionit, por e bëri Mimoza Kusarin shefe të grupit parlamentar të partisë”, ka shkruar ai.

Molliqaj tutje ka thënë se “Kur premtonte ulje të çmimeve atëbotë, njëmend ka besuar se çmimet janë të larta. Sikurse tash kur i rritë çmimet që beson që ato janë të ulëta”.

Pra, sipas të parit të PSD-së, Kurti nuk kishte se si të përfundonte ndryshe.

“Kur i ndërron bindjet, normalisht se i ndërron edhe premtimet”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore