Shqipëria

AlbControl jashtë kontrolli!


E gjithë vëmendja social-politike gjatë këtyre ditëve ka qenë e përqendruar te situata e grevës së kontrollorëve ajrorë të AlbControl-it. Një grevë, e cilësuar si grusht shteti nga pala e pozitës, dhe e ngritur si çështje e mohimit të të drejtave të tyre dhe rishikimit të pagës, nga ana e kontrollorëve.

Brenda 24 orëve nga fillimi i grevës, fluturimet emergjente u rihapën. Ato komerciale ndërkaq, pritet të rifillojnë më 9 prill.

Por, negociatat midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kontrollorëve janë në hiatus.

Pala e punonjësve mohon të ketë bisedime konkrete. Nga pala ministrore, jepet një pasqyrë njëvjeçare e tratativave për të mos shkuar në kolaps tërësor – kolaps, i cili ndodhi 7 prillin e djeshëm.

Për këtë, Albanian Post është interesuar të marrë versionin e çdo pale.

Kontrollorët ajrorë janë ata, të cilët kanë paraqitur pesë kërkesa bazë:

Rikthimi në punë i disa kolegëve të pushuar në mënyrë të padrejtë sipas tyre. Shfuqizimi i vendimeve të bordit drejtues të AlbControl-it. Rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive. Transparencë e plotë financiare për vitin 2020. Përfshirjen në bord të një anëtari nga sindikata.

Avokati i palës në grevë, Rezart Kthupi, pohon për Albanian Post se ka kohë që provohet të bëhen negociata.

“Në sensin praktik, nuk ka pasur asnjëherë negociata. Ka pasur një propozim, i cili për kontrollorët është kërkuar të pasqyrohet bashkë me faturat financiare të shoqërisë. Pra, të kishim një pamje reale të aftësisë financiare të shoqërisë, jo thjesht një efekt që kaq është dëshira jonë për t’iu rritur pagën”.

Sipas avokatit, propozimi i Këshillit Mbikëqyrës duhet të bazohej mbi fakte reale të pasqyrave financiare të shoqërisë. Për sa i përket vazhdimësisë dhe dinamikës së ngjarjes, ai thotë se “nuk dihet se si do të procedohet më tutje me çështjen”.

Kërkesat ndërkaq, sipas tij, do vazhdojnë të mbeten të njëjta.

Por, sipas zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Etjen Xhafaj, kontakti për këtë çështje ka një vit që mbahet.

“Ka pasur më 24 prill të vitit 2020 një vendim nga bordi, duke qenë se kompania ishte në pamundësi financiare për të paguar rrogat apo për të mbështetur mirëmbajtjen e mjeteve të vrojtimit ajror, ka pasur vendim të uleshin pagat dhe të reduktohej personeli. Duke qenë se nuk ka pasur fluturime të shumta. Aktualisht numri i fluturimeve është 57% më i ulët”.

Në replikë ndaj kërkesës së paraqitjes së pasqyrës financiare, Xhafaj thekson se “është ndjekur procedura standarde e rishikimit të buxhetit në mes të vitit”.

“Bëhen akte normative të brendshme për rialokim fondesh. Është krejt procedurë normale. Nëse do kishte qenë aty oferta e AlbControl-it, që prej nëntorit, nuk do të kishim për çfarë të negocionim. Rivlerësimi është bërë në bazë të ecurisë së vitit. Kompania priti të shihte si do të shkonte procesi, me hapjen e sezonit veror”.

Një tjetër pretendim nga Xhafaj, është ai se kontrollorët kanë shkelur nenin 293 të Kodit Penal. Sipas këtij neni, “pengimi i trafikut dhe qarkullimit ajror konsiderohet krim”.

Pikërisht për këtë fakt, zëvendësministri hedh akuza se “tërheqja e tyre duke cituar lodhje dhe stres nga të gjithë, i ka shkaktuar një dëm masiv jo vetëm ekonomisë, por edhe sektorit të shërbimeve”. “Përpara pesë ditësh, ata e kanë politizuar gjithë diskutimin”.

Për zgjidhjen e situatës, ai pohon se “një ekip krize është mbledhur dhe po merret me çështjen”. Por, asnjë detaj tjetër nuk është bërë i ditur.

Greva e kontrollorëve ka ngjallur një debat edhe në aspektin ligjor dhe moral.

Avokatja Leonora Rexha, e pyetur nga Albanian Post, ka interpretuar dy pikat e diskutuara në vendimmarrjen e kontrollorëve – nenin 196 dhe atë 197/5 të Kodit të Punës.

“Bazuar në ligj sipas nenit 197/5, paragrafi i dytë, thuhet shprehimisht se kontrolli ajror hyn tek ato shërbime jetike. Pra nuk mund të zhvillohet grevë ku ndërprerja rrezikon jetën, sigurinë personale ose shëndetin e një pjese ose gjithë popullsisë. Ky është edhe rasti konkret, nga kontrollorët”, pohon Rexha.

Faktit nëse situata hyn ose jo te greva, ajo i është përgjigjur pozitivisht.

“Mund të quhet për aq kohë sa nuk ushtrohet profesioni, për sa kohë kanë dalë të gjithë dhe nuk lejojnë funksionimin e punës, pra lëvizjen e avionëve. Vetë kontrollorët këtë detyrë kanë, të vendosin në punë trafikun ajror”.

Sipas saj, mënyra më e mirë e zgjidhjes, është ajo e “ngritjes së një gjykate arbitrazhi të përzgjedhur nga palët”. “Nëse palët nuk bien dakord, arbitrat caktohen nga Ministria”.

“Rekomandimi i dialogut ka ardhur edhe nga Shoqata Evropiane e Kontrollit të Trafikut Ajror, nga e cila AlbControl varet”, tha ajo.

Disa prej kontrollorëve janë shoqëruar edhe në polici. Kjo, ka ngjallur gjithashtu debat publik.

“Mënyra që kontrollorët kanë zgjedhur për të reaguar ndaj situatës në të cilën ndodheshin nuk është e drejtë pasi duhet të vepronin sipas dhe në përputhje me ligjin. Por, instancat përkatëse, në gjykimin e kësaj çështje, duhet të marrin parasysh dhe faktin që, sikurse kontrollorët shprehen, kanë qenë në një gjendje të rënduar psikologjikisht dhe aty ndodhemi para një pune rigoroze që kërkon vëmendje të plotë dhe qetësi maksimale”.

Akuzat dhe kundër-akuzat politike kanë qenë të shumta në këtë situatë. Një zgjidhje e përkohshme është gjetur, me ardhjen e disa kontrollorëve turq për të menaxhuar hapësirën ajrore shqiptare.

Por, kjo zgjidhje, nuk mund të jetë afatgjatë. Lëvizjet e radhës nga dy palët priten në ditët në vijim.

Përkohësisht, AlbControl-i është jashtë kontrolli!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore