Lajme

Alarm për terrorizëm në qiejt e Italisë, avioni kthehet në Athinë


Një Boeing 777 i linjës “Fly Emirates” me 246 persona në bord (228 pasagjerë dhe 18 anëtarë të ekuipazhit), i cili u nis nga Athina drejt New York-ut u detyrua të kthehej në Greqi.

Shkak për këtë u bë një alarm për terrorizëm i lëshuar nga autoritetet helene ndërsa avioni ishte mbi Sardenjë të Italisë.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta italiane “Corriere della Sera”.

Komunikimi shkaktoi protokolle sigurie në gjysmën e Evropës.

Vetëm tre orë më vonë, oficerët e zbatimit të ligjit të vendit ballkanik shpjeguan se ishte një alarm i rremë.

Burime italiane shpjeguan për “Corriere” se sapo avioni ishte në hapësirën ajrore italiane, qendra e kontrollit të zonës së Brindisi-t – që kufizohet me atë greke – mori alarmin për terrorizëm nga kolegët në Athinë.

Në atë moment, kontrollorët italianë dërguan komunikimin e urgjencës te francezët – sepse fluturimi EK209 ndërkohë ishte në drejtim të Korsikës.

Avioni bëri disa xhiro midis Olbias dhe Alghero-s, në veri të Sardenjës, sepse priti dritën jeshile nga francezët për të hyrë në hapësirën ajrore transalpine, por pa e marrë kurrë atë.

Përkundrazi: nga Marseja thanë se avioni nuk ishte i autorizuar.

Në atë moment avioni vazhdoi drejt jugut, në Mesdhe, ku italianët “dorëzuan” fluturimin tek autoritetet malteze dhe më pas hynë në hapësirën ajrore greke ku u ul në aeroportin e Athinës në orën 21.07.

Gjatë kthimit avioni u rrethua për arsye sigurie nga dy avionë luftarakë F-16.

Sipas transmetuesit amerikan “NBC”, telefonata anonime me zyrtarët e sigurisë amerikane u konsiderua pothuajse menjëherë “jo e besueshme”, por si masë paraprake ata informuan inteligjencën greke.

Këta të fundit, në atë moment dhanë urdhër për të kontrolluar pasagjerët e dy fluturimeve të Emirates të planifikuara për ngritje: njëra për Dubai, tjetra për New York.

Asnjë nga pasagjerët nuk ishte i dyshimtë, madje asnjeri nuk u ndal për hetim kur Boeing u ul në Athinë. “Asnjë element i dyshimtë nuk ka dalë”, komentoi policia greke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore