Shqipëria

Alarm në Peru – ‘Mafia shqiptare e përkushtuar ndaj trafikut të drogës’


“Mafia e fuqishme shqiptare e përkushtuar ndaj trafikut të paligjshëm të drogës mbërriti në Peru dhe po ecën me krenari në vendin tonë”.

Kështu e nis artikullin e saj gazeta peruane “Panorama” kushtuar mafies shqiptare atje.

Ajo ka sjellë pamjet ekskluzive të Franc Malos dhe Gentjan Metas – dy shqiptarët që janë pas trafikut të kokainës.

Sipas “Panorama-s”, shqiptarë kanë kaluar kufirin nga Ekuadori për të hyrë në Peru në mënyrë të parregullt dhe ata janë anëtarë të “mafies së fuqishme shqiptare”.

“Ata ndodhen këtu për të dërguar tonelata kokainë në Evropë”.

Ndërkohë vetëm disa ditë më parë, Policia e Perusë ka sekuestruar 2.2 ton kokainë e cila do të dërgohej në Holandë.

Lënda narkotike, sipas raportimeve, ishte e fshehur në kanaçe shpargulli.

Sakaq, autoritetet vendase kanë arrestuar shtatë peruanë, ndërsa dy shqiptarët u shpallën në kërkim.

Kreu i antidrogës peruane, Cesar Echevarria deklaroi se grupi drejtohej nga dy shqiptarët.

“Është një organizatë kriminale me lidhje në Kolumbi, Ekuador dhe Shqipëri”, theksoi Echevarria.

Gjithashtu tha se janë në koordinim me “Policinë Ndërkombëtare seksionin për lokalizimin e dy shtetasve shqiptarë që kanë mbërritur në vendin tonë si lehtësues logjistikë dhe koordinim me mafien”.

Sasia e madhe e kokainës ishte kamufluar në kanaçe shpargu që do të transportohej me një kamion.

“Kjo organizatë planifikoi të paguante drogën me monedha virtuale, bitcoin”, tha Echevarria.

Këtë vit, policia peruane ka sekuestruar rreth 35 tonë drogë.

Peruja është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të kokainës, me rreth 400 tonë në vit, sipas shifrave zyrtare.

Përveç kësaj, ajo është, së bashku me Bolivinë, një nga prodhuesit më të mëdhenj të gjetheve të kokainës, lëndës së parë për kokainën, pas Kolumbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore