Lajme

Alarm në Pekin pas njoftimit se politika zero-COVID mund të zgjasë 5 vjet


Në Pekin, autoritetet kanë shkaktuar konfuzion dhe alarm, pasi njoftuan se politika zero-COVID mund të jetë në fuqi për pesë vitet e ardhshme.

Te masat që do të vijojnë përfshihet po ashtu testimi masiv i detyrueshëm dhe kufizimet e udhëtimit.

Njoftimi i atribuohet Cai Qi, sekretarit të Partisë Komuniste Kineze në Pekin.

Teksti origjinal i njoftimit të publikuar prej tij thuhet se “në pesë vitet e ardhshme, Pekini do të përkushtohet pa pushim për normalizimin e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë”.

Fillimisht, njoftimi u dha nga “Beijing Daily” dhe u ripublikua nga media të tjera shtetërore. Ai u përhap gjerësisht në mediat sociale, por referenca për “pesë vjet” u hoq nga shumica e publikimeve në internet.

Ai u zotua të ruajë dhe përmirësojë “menaxhimin e rreptë të mekanizmit të koordinimit të parandalimit dhe kontrollit” të qytetit dhe sistemin e reagimit ndaj emergjencave.

Gjithashtu ka vënë në dukje vazhdimin e inspektimeve të rrepta të banimit, normalizimin e testimeve të rregullta dhe menaxhimin e hyrjes dhe daljes në qytet.

Nën drejtimin e Presidentit Xi Jinping, autoritetet kineze e kanë angazhuar vazhdimisht vendin ndaj politikës zero-COVID, pavarësisht se pjesa tjetër e botës ka zgjedhur një rrugë bashkëjetese ose zbutjeje.

Xi ka urdhëruar autoritetet që të balancojnë politikën zero-COVID me rritjen ekonomike, pasi masat e paparashikueshme janë të rënda me vendasit.

Sakaq, njoftimi ka ngjallur zemërim dhe konfuzion mes banorëve të Pekinit në internet.

“Qëllimi përfundimtar i luftimit të epidemisë është kthimi në jetën normale dhe duket se të gjithë e kanë harruar këtë”, ka vënë në dukje një komentues.

Zemërata ka ardhur edhe sepse autoritetet nuk e kanë sqaruar deklaratën apo heqjen e referencës për pesë vjet.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore