Sport

Akuza dhe kundërakuza, kreu i FSHF Armand Duka, “përplaset” me qeverinë


Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Jashtëzakonshme, kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka hedhur kritika mbi Kryeministrin e vendit, Edi Rama dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, pasi nuk kanë mbajtur premtimet e dhëna.

Për Kryeministrin Rama, Duka u shpreh se:

“Akoma shpresoj tek fjala e kryeministrit Rama që brenda vitit do kishim fond nga zbritja nga taksat. Nëse nuk ndodh, nuk do bojkotojmë por do bëjmë zgjidhjet dhe zgjedhjet tona .”

Ndërsa, nuk la pa ngacmuar as Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, mbi projektin e 100 fushave të reja të futbollit:

“Qeveria nuk ka denjuar ta lexojë. Ministria e famshme e Arsimit na ktheu përgjigje negative. Do e vazhdojmë projektin, do investojmë 50% të investimit.

 Mënyrë shtetërore e drejtimit të sportit është me e turpshmja e 30 viteve të fundit. MAS i qeverisë Rama e theu rekordin e ministrisë së qeverisë së mëparshme me 2 gërma me pak e kilometra indiferentizëm me shumë .”

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i zvendëskryeministrit të Shqipërisë, Erion Braçe, i cili njihet si sportdashës, sidomos i futbollit vendas. Në një reagim në faqen e tij në facebook, Braçe tha:

“Po zotëria një fushë kishte detyrë kontraktuale të bënte, një jo 100, kryefushën në Qemal Satafa dhe shkoni ta shihni në ç’katandi është. Nuk luan dot një ndeshje me Ballshin aty, jo më me Anglinë!

Që kur politika e kësaj qeverie për sportin u mbështet fort tek edukimi, rikthimi i orëve sportive në shkolla, mësuesve gjithashtu, nuk ka shkollë të re apo të rikonstruktuar që nuk ka fushat e saj të basketbollit, volejbollit, futbollit për fëmijet por edhe për komunitetin. Nuk ka shkollë që nuk ka palestrën e saj (aty ku hapësira e ka mundësuar janë edhe fushat edhe palestra bashkë, nesër do u tregoj disa të tilla).

Vetëm ai që nuk sheh stadiumin e Elbasanit, të Shkodrës, të Tiranës,  të Kukësit dhe faturat e paguara për atë Korçës, nuk sheh as fushat e palestrat në shkolla-qendrat bazë të edukimit sportiv të fëmijëve e të rinjve!

Ç’mund të jetë një i tillë?

E thjeshtë, një i tillë ska lidhje me sportin, por me tregëtinë politike, partiake!

I tillë është!”/AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore